Bashkëpunimi dhe aktivitetet për promovim të arsimit së mesëm profesional me qëllim të mjeshtërive më të mira praktike dhe aftësive të nxënësve që do t’u ndihmojnë të jenë konkurrentë në tregun e punës, paralajmëruan sot ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dhe drejtori i kompanisë elektroenergjetike EVN Maqedoni, Shtefan Peter.
Ademi dhe Peter nënshkruan memorandum për bashkëpunim me të cilin formalizohen aktivitetet vijuese dhe të ardhshme për promovim më të madh të arsimit të mesëm profesional, si dhe për zhvillim të propozimeve dhe zbatimit të masave që do ta avancojnë bashkëpunimin e shtetit dhe sektorit privat.
Ministri Ademi theksoi se EVN Maqedoni është kompani partnere me të cilën janë vendosur një sërë masash, praktika dhe zgjidhje inovative arsimore që janë treguar si të suksesshme dhe efektive për cilësinë e diturisë së nxënësve tek ne.
“EVN Maqedoni të parët filluan ta zbatojnë konceptin e arsimit dual në partneritet me shkollën e mesme teknike Mihajllo Pupin në Shkup, ndërsa nga viti i ri shkollor bashkëpunim të këtillë fillojnë edhe me shkollën e mesme në Gostivar ku gjithashtu vendoset ky koncept me një paralele. Ndajnë bursa për nxënës dhe studentë nga fusha e arsimit profesional, financojnë furnizim në pajisje shkollore, pranojnë punësime të të rinjve që i kanë trajnuar. Shembullin e tyre duhet ta përcjellin edhe kompanitë tjera”, tha Ademi.
Drejtori i EVN Maqedoni i porositi prindërit dhe fëmijët që të marrin vendim të duhur dhe të plotësojnë një nga vendet në shkollat profesionale.
EVN Maqedoni me projektin 20-20-20 që e filloi para dy viteve në shkollën e mesme “Mihajllo Pupin” ofron praktikë për nxënësit dhe punësime në kompani me pagë prej 20.000 denarëve. (koha.mk)