Për shpalljen bashkëpunëtor të D.B.-së kanë votuar 10 anëtarë të komisionit, duke përfshirë edhe dy të LSDM-së, ndaj dhe çdo përpjekje për ta vënë votimin e tyre në dobi të deputetit të VMRO-së është një nonsens i paparë juridik edhe në kundërshtim me çdo logjikë, kur dihen përplasjet në relacionin VMRO-LSDM në atë periudhë pikërisht rreth lustrimit!
Nga Daut DAUTI
Rrëfimi i “operativcit” të SHSSH-së : “Në dy raste u takova me D.B.-në (jepen të dhëna biografike për të-shëni.i aut.) dhe në bisedë me të ai shprehu dëshirë për bashkëpunim me Shërbimin e Sigurimit Shtetëror. Gjithsesi, i mora dhe me rezervë i pranova të dhënat që na i ofroi. Përveç tjerash, më tha se din për grupin e nxënësve “OVR” i ndiqte për veprimtari armiqësore. E njeh K.Z.-në si organizator i grupit, por nuk ka afërsi me të. Për babain e tij, Ivanin, burimi (pra, D.B. i sipërpërmendur-vër.e aut.) tha se në kohën kur Zorani ka qenë në burg, ka dashur që me familje të shpërngulet në Bullgari, ndërsa ndaj OVR-së ka shprehur revoltë. Momentalisht nuk di gjë për Zoranin, e vëzhgon dhe ia njeh shoqërinë. Burimi tha se nga ky grup më interesanti madje më i dhënë pas politikës është ZhivkoTufekxhioski, momentalisht student në Shkup. Për të tha se është i prirë dhe këtë edhe e bën që të kritikojë shumë çështje të shoqërisë dhe të jetë i pakënaqur. Ilo Naumovskin dhe Miro Spirovskin i njeh mirë dhe i takon më shpesh. Në Kërçovë ia ka parë më shumë herë duke shëtitur me Branko Stojanovskin dhe të tretë duke ndenjur në kafene. Burimi (pra ai i mësipërmi, D.B.-vër.e aut.) i ka parë edhe Ilon dhe Miren veçanërisht vetëm me Brankon. Burimi pjesërisht e kishte të qartë se Branko ka qenë ngapak i përndjekur si anëtar në organizatën që lufton për Maqedoni të bashkuar.” “Operativci” më tutje, duke folur për DB-në sqaron: “Burimi kryesisht ka dhënë të dhëna për persona të kombësisë shqiptare. Po bëj përpjekje që ai të shfrytëzohet edhe për të na ofruar të dhëna edhe për persona maqedonas. Ka njohësi me anëtarët e grupit të realizuar “Mladinci” (“Të rinjtë”) dhe ka mundësi që të afrohet me ta edhe më shumë.Ai vetë theksoi se nga të gjithë më interesanti është KiroTufekxhioski me qëndrimet vrojtimet e tij të sotme. Fakti më i rëndësishëm që flet për kontakte publike “legale midis Ilço Naumovskit dhe Mirosllav Spirovskit me Branko Stojanovskin-profesor i gjuhës maqedonase në gjimnazin e Kërçovës. Brankon e kemi të njohur për të kaluarën e tij nacionalist i ri dhe se të gjithë anëtarët “Mladinci”-it ishin nxënës të tij. D.B. me dijen tonë do të afrohet me të gjithë anëtarët e “Mlladinci”-t, me të cilët njihet dhe veçanërisht me Zhivkon. Do ta hulumtojë shoqërinë e ZoranKërstevski dhe do të na i tregojë lidhjet e tij më të afërta”. (dokumenti mban datën 10.III.1972)
Nuk po bëj ndonjë kuiz, por lexuesit po i pyes, çfarë është përshtypja juaj lidhur me kryepersonazhin e këtij dokumenti? A ka qenë bashkëpunëtor apo nuk ka qenë?
Kryepersonazhi D.B. ka qenë objekt i lustrimit dhe në bazë të përmbajtjes së këtij dokumenti, Komisioni për lustrim, me 10 vota “për” dhe asnjë votë “kundër”, e ka shpallur bashkëpunëtor. Shihni sa emra përmenden për të cilët ka dhënë informata për veprimtarinë e tyre në baza ideo-politike në kohën e regjimit komunist. Në dokument thuhet se së pari ka qenë i angazhuar për të ndjekur shqiptarët, e pastaj edhe maqedonasit. Ja edhe një dokument tjetër, i vitit 1975(pra, që nga viti 1972 ka dokumente për angazhimin e tij, që flet për kontiunitetin e angazhimit si bashkëpunëtor, shumë i rëndësishëm nga aspekti i ligjit për lustrim). Paramendoni në dokumentin e ardhshëm, ky informator i shërbimit sekret, i cilësuar si “lidhje miqësore”, tregon se si një person me emrin kodues “Domar” (Shtëpiaku”) që këmben letra me një person tjetër. Sigurisht, ka “diçka” në ato letra, qyshse është me aq interes për shërbimin sekret dhe ky ndjen nevojë që atë informacion t’ia japë shërbimit. Shihni më tutje, “burimi është në lidhje farefisnore me MitoMitevskin përmes të shoqes” dhe se informatat “i ka marrë nga gjyshja”. Domethënë, ka shfrytëzuar farefisë të tij për t’i dhënë informata shërbimit sekret! Çfarë skrupulle! Tash a është me rëndësi ajo që ka kuptuar nga farefiset e tij? Gjykoni vetë: flet se si M.Mitevski paska dërguar një çek me valutë të huaj për meremetimin e kishës në fsh. M.Crsko…” E keni parasysh, regjimi komunist dhe meremetimi i një objekti fetar, qyshse interesohet shërbimi sekret dhe qyshse burimi e sheh të arsyeshme të informojë për këtë gjë “interesante”. Ka edhe dokumente të tjera, por të cilat nuk kanë lidhje me aspekte ideologjike të cilët nuk ka nevojë të përmenden, por që vetëm e forcojnë bindjen se ai ka qenë një bashkëpunëtor i rregullt i shërbimit sekret të asaj kohe.
Çka është poenta e gjithë këtij rrëfimi? Nëse pas të lexuarës së mësipërme jeni të bindur se ky person është bashkëpunëtor dhe keni një vendim të komisionit për lustrim që e ka shpallur si të tillë, çka thoni për faktin se anëtarët e komisionit TASH janë të dyshuar se kanë sjellë vendim të paligjshëm në bazë të detyrës dhe autorizimeve zyrtare?! Po, duhet ta keni dëgjuar anën atraktive të rastit, se një deputet i VMRO-së ka dashur lustrimin e tij, por ju nuk e keni të njohur faktin se në komision iniciativën për lustrimin e D.B.-së, gjykatës kërçovar, tash i ndjerë, e ka ngritur njëri nga personat e përmendur, nga dosja e të cilin janë këto dokumente? E dini gjithashtu se ky rast u bë atraktiv për disa çështje pronësore juridike dhe interesimin e deputetit për ta mënjanuar nga detyra e gjykatësit, porse në ato përgjime e njohura, nga 11 anëtarë 9 nuk kanë komunikuar e as kanë me deputetin e as ditur se ka ndonjë prapavijë. Prapavija është bërë e njohur pesë vjet pas lustrimit! Nga këndvështrimi i një anëtari të Komisionit të lustrimit, me rëndësi për të vendosur ka qenë a është iniciativa për lustrim në kuadër të ligjit ose jo? A është lustruar me fakte ose dikush ia ka sajuar?
Fakte interesante që në publik nuk arrijnë të depërtojnë falë një fushate mediatike e ngapak edhe politike përplot mjegullnajë janë si vijon:
– Gjykatësin D.B. e kap ligji për lustrim. Një herë, në v.2010 ka kaluar i pastër në mungesë të dokumenteve, por me iniciativën e personit të tretë, dy vjet më vonë, i cili ofron dokumente nga dosja e tij, dëshmohet bashkëpunimi dhe me këtë shpallet bashkëpunëtor. Përsëritjen e procedurës e ka paraparë ligji.
– Për shpalljen bashkëpunëtor të D.B.-së kanë votuar 10 anëtarë të komisionit, duke përfshirë edhe dy të LSDM-së, ndaj dhe çdo përpjekje për ta vënë votimin e tyre në dobi të deputetit të VMRO-së është një nonsens i paparë juridik edhe në kundërshtim me çdo logjikë, kur dihen përplasjet në relacionin VMRO-LSDM në atë periudhë rreth lustrimit!
– Siç u tha më sipër, ky bashkëpunëtor ka ndjekur shqiptarë, porse si të dyshuar për lustrimin e tij konsiderohen tre gazetarë shqiptarë, ndërkohë që edhe prokurorja është shqiptare, më e njohura në vitet e fundit. Bashkëpunëtori ka ndjekur siç shihet nga dokumentet e cituara, shumë maqedonas, dhe tash si të dyshuar për lustrimin e tij janë edhe dy profesorë maqedonas, një avokat maqedonas dhe disa juristë maqedonas, ndonëse bashkëpunimi i bashkëpunëtorit është i pakontestueshëm, që shihet nga dokumentet!
– Kjo lëndë gjyqësore, ka lindur nga “bombat”, por të paktën shtatë anëtarëve të dyshuar nuk u dëgjohet zëri në ato incizime. Si ka mundur PSP-ja t’i fusë në lëndë?
– Lënda “I fuqishmi” ku pa të drejtë janë futur anëtarët e Komisionit të lustrimit, në aspektin juridik është inekzistent sipas Gjykatës Supreme, sepse PSP-ja e ka hapur pas afatit 18 muajsh të paraparë me ligin për PSP-në! Çdo ligj tjetër që u jep mundësi për të vazhduar ato, nuk mund të jetë për të dyshuarit më i rëndë se ai i mëparshmi,e sipas të mëparshmit, pra, kjo lëndë NUK EKSISTON!
-Në ligjet me të cilat ka punuar Komisioni i Lustrimit, nuk parashihet përgjegjësia penale rreth votimit, sepse vendimet merren me votim dhe për punën e vet ky komision i përgjigjej Kuvendit, dhe nuk është gjyqi ai që vendos për përgjegjësinë e tyre. Palët e pakënaqura nuk kanë qenë aq të pambrojtura, siç trumpetohet, sepse kanë mundur që vendimet e Komisionit të lustrimit të ankimohen, gjegjësisht të paditen në gjykatat administrative, atë supreme, e gjer në Strasburg, kështu që edhe nëse ka pasur ndonjë lëshim, ka mundur të bëhet korrigjim. Disa këtë të drejtë edhe e kanë shfrytëzuar dhe kanë fituar.
Edhe përgjegjësia e supozuar në baza të detyrës zyrtare ka të bëjë me tjetër kategori zyrtarësh, ata që marrin vendime në mënyrë të pavarur, e jo si organe kolektive, siç ka qenë komisioni i lustrimit.
Por, të gjitha këto argumente si duket janë irelevante për ata që e kanë ngritur këtë lëndë kundër anëtarëve të komisionit, duke lënë shumë dyshime për motivet (politike, a tjetërfare, që shkojnë gjer te ato personale!) për të krijuar një nga skandalet më të mëdha gjyqësore. Tash u ka mbetur në dorë gjyqtarëve në shqyrtim nëse do të pranojnë një lëndë si kjo që ngritet mbi normat e shtetit juridik, se a do të vendosin sipas normave të së drejtës, apo do të bien pre e presioneve mediale e politike dhe me këtë edhe ta rrënojnë shtetin juridik dhe ta përligjin voluntarizmin e skajshëm të një subjekti (PSP) (i cili harxhoi gjithë ato para buxhetore, ndau beneficione marramendëse për prokurorët e vet(janë objekt i Antikorrupsionit), askujt nuk i dhanë raport për punën e tyre financiare, në fund u devalvuan me kryeprokuroren) dhe të vazhdojnë me këtë lëndë që e kanë hapur në mënyrë të paligjshme?
Është mirë që një magazinë politik, duke shkruar gjerësisht për rastin kishte konstatuar se deri tash Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë lidhshmërinë e votimit të anëtarëve të komisionit me “lustrimin e porositur” nga deputeti i njohur i VMRO-së, gjë flasin edhe argumentet e sipërpërmendura.
P.S. Për të mos luajtur “kukamsheftas”, autori i këtij shkrimi është njëri ndër tre gazetarët shqiptarë anëtarë të Komisionit për verifikimin e fakteve që bashkë me 7 anëtarë të tjerë maqedonas, ka votuar që D.B. të shpallet bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete të ish-regjimit.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)