Prishtinë, 11 mars –Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i priti sot këshilltarët për politikë të jashtme të kancelares gjermane, Angela Merkel, Jan Heker dhe Matias Litenberg, të cilët pas këtij takimi sonte do të udhëtojnë drejt Beogradit, për takime me kreun shtetëror serb, lajmëroi korrespondneti i MIA-s nga Prishtina.
Gjatë takimit të Haradinajt me, siç i prezantuan mediumet në Prishtinë dhe Beograd, “bashkëpunëtorët më të afërt të Merkelit”, sipas kumtesës nga kabineti qeveritar, është biseduar “për rrjedhat politike dhe ekonomike në vend dhe rajon, si dhe për normalizimin e dialogut me Serbinë”.
“Kryeministri Haradinaj i njoftoi këshilltarët Heker dhe Litenberg me përparimin e Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë kosovare për zhvillimin ekonomik të vendit, me prioritetet e saj, përforcimin e sundimit të së drejtës dhe ligjit, Agjendën e reformave evropiane dhe orientimin euroatlantik të Kosovës”, thuhet në kumtesë.
Haradinaj u falënderua për ndihmën e vazhdueshme që Gjermania ia ofron shtetit të tij, duke cekur se ajo është “një ndër partnerët politik dhe ekonomik të Kosovës, të cilët dhanë mbështetje në momentet më të vështira për vendin dhe tani në përforcimin e zhvillimit të tij ekonomik dhe përforcimin e subjetivitetit ndërkombëtar”.
Pas vizitës në Prishtinë, ku paraprakisht u takuan edhe me presidentin Hashim Thaçi, është paralajmëruar nisja e diplomatëve për në Beograd, ku që sonte pritet takim i tyre me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa nesër edhe me përfaqësues të tjerë të lartë shtetërorë.
Qëllimi i vizitës së bashkëpunëtorëve të kancelares Merkel, sipas mediumeve serbe, është të tentojnë t’i ulin tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Ky takim (me Vuçiqin) është vendimtar kur flasim për të ardhmen e dialogut dhe raporteve mes dy palëve”, deklaroi për gazetën “Blic” një burim nga qarqet diplomatike në Beograd. (koha.mk)