Pretendentët të cilët dëshirojnë të blejnë Chelsea sa vijnë e po shtohen, pavarësisht se blutë e Londrës vazhdojnë të këmbëngulin se nuk janë në shitje. Presidenti Roman Abramovich është pronar i klubit prej 15 vitesh e besohet se tani dëshiron të përfitojë në maksimum nga investimi i tij. U fol se për ekipin londinez erdhi një ofertë prej 2.3 milionë paundësh, por që u refuzua, pasi kërkesa e manjatit rus kap shifrën e 3 milionë paundëve.
Një prej miliarderëve të interesuar është Sir Jim Ratcliffe, njeriu më i pasur në Britani. Ai është drejtues në një kompani ndërkombëtare kimike dhe raportohet se ka një pasuri prej 21 miliardë paundësh.
Një tjetër emër, i cili po qarkullon së fundmi, është ai i Paul Allen, i cili ka në pronësi skuadrën e basketbollit Portland Trail Blazers e atë të futbollit amerikan Seattle Seahawks. Flitet se 65-vjeçari është takuar me mikun e ngushtë të Abramovich, Pini Zahavi, të cilit i është lënë detyra për të gjetur mundësi shitjeje të klubit.
Allen ishte një nga krijuesit e Microsoft, së bashku me Bill Gates, dhe ka pasur gjithmonë interes në sporte. Kjo mund të jetë një shtysë e fortë për të, pasi edhe tifozët do të donin një njeri i cili njeh mjaft mirë menaxhimin e një skuadre.