Vjollca SADIKU
Dibër,13 prill – Në shumë sfera nevojitet bashkëpunim rajonal, meqë komunat disa çështje nuk mund t’i realizojnë nëse ata nuk bashkëpunojnë mes veti. Kjo, mes tjerave është theksuar në një takim që kanë pasur përfaqësuesit më të lart të komunave Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rotush, shkruan gazeta KOHA. Në këtë takim kryetarët Ruzhdi Lata, Arjan Ibrahim dhe Mukrem Mehmedi, kanë vlerësuar se nevojitet një bashkëpunim mes tre komunave për të thithur më shumë projekte, sidomos ata të cilët realizohen me donacione të jashtme. Në këtë takim drejtpërdrejtë është biseduar dhe është dhënë dritë jeshile për një projekt nga sfera e stimulimit të prodhimtarisë bujqësore, dhe eko-prodhimeve.
Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata, thotë se në takim është theksuar se në shumë sfera nevojitet realizimi i projekteve të përbashkëta. Nëse realizohen projekte të përbashkëta, edhe efekte do të jenë më të dukshme, thotë Lata. Jemi dakorduar që në lokacionin ku faktikisht kufizohen të tre komunat, në afërsi të Liqenit të Dibrës të ndërtohet një treg i përbashkët me eko prodhime bujqësore dhe blegtorale. Por, shton Lata, bashkëpunimi duhet të jetë më i madh edhe në sferën e mbrojtjes së ambientit jetësor, meqë të tre komunat vazhdojnë të kenë probleme në këtë sferë. Në Liqenin e Dibrës vazhdojnë të arrijnë mbeturina plastike, por edhe mbetje të tjera nga rrjedha e lumenjve Radikë, Drini i Zi dhe nga përroskat e shumta të Komunës rurale Qendër Zhupë. Dibra realizon shumë projekte vetjake, por në disa sfera ka nevojë që projektet të realizohen së bashku me komunat Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë, thotë Lata. Në lidhje me projektet e përbashkëta rajonale, të njëjtin mendim e ka edhe kryetari i Komunës Mavrovë-Rostushë, Mukrem Mehmedi. Sipas tij, projektet rajonale janë teje të nevojshme, meqë me këto projekte tejkalohen problemet në rajonin më të gjerë. Ai si shembull jep nevojën e realizimit të një projekti në sferën e mjedisit jetësor. “Edhe pse ndërmarrja komunale në Komunën Mavrovë-Rostushë bën grumbullimin e mbeturinave publike, ndodh shumë herë që pas reshjeve të rrëmbyeshme të grumbullohen mbeturina nëpërmjet përroskave të cilët përfundojnë në lumin Radikë, e pastaj edhe në ujërat e Liqenit të Dibrës”, thotë kryetari Mehmedi.
Ky problem është një problem akut i cili mund të tejkalohet vetëm me projektet të përbashkëta. Në Liqenin e Dibrës arrijnë mbeturina edhe nga komuna Qendër Zhupën thotë kryetari i Komunës Mavrovë-Rostush dhe shton se në këtë mënyrë ndotet ambienti jetësor në Komunën e Dibrës. Mehmedi thekson se aktualisht me Komunën Dibër ka në bashkëpunim në sferën e mjedisit jetësor, meqë me kontratë mbeturinat e Komunës Mavrovë-Rostushë deponohen në deponin kryesore të Komunës Dibër. Ky problem kërkon një projekt të përbashkët, i cili do të realizohet në të tre komunat dhe efektet do t’i gëzojnë pikërisht të tre komunat, thotë kryetari i kësaj komune. Duke marrë parasysh se ka dështuar tërësisht projekti italian “Për Radikë të pastër”, problemet ekologjike Komuna Mavrovë-Rostushë, nuk mund t’i tejkalojë vetë, por atë duhet ta bëjë së bashku me komunat e rajonit më perëndimor të Maqedonisë. Në Komunën Qendër Zhupë po ashtu janë të vetëdijshëm se shumë mbeturina nga deponia e egra e kësaj komune, nëpërmjet përroskave të fshatit Ballancë, Breshtan, Pralenik dhe fshatrave të tjera, përfundojnë në Liqenin e Dibrës. Përfaqësuesit e kësaj komune theksojnë se kanë filluar të pastrojnë deponi të egra, por që në raste kur ka të reshura të rrëmbyeshme të shiut, mbeturinat përfundojnë në liqenin e Dibrës. Kryetari i kësaj komune, Arjan Ibrahim, ka informuar se bëhen aktivitete për të pasur një deponi lokale. Po ashtu është për t’u theksuar se në këtë komunë grumbullimi i mbeturinave bëhet vetëm në disa fshatra në mënyrë të organizuar, kurse në pjesën tjetër të fshatrave banorët hedhin mbeturinat në periferi të fshatrave dhe krijojnë shumë deponi të egra. Vlerësimi edhe i kësaj komune është se këto probleme tejkalohet vetëm me projektet të përbashkëta rajonale. Këto qëndrime të pushteteve vendore për realizimin e projekteve të përbashkëta japin shpresë se përfundimisht do të tejkalohen problemet, sidomos në mbrojtjen e mjedisit jetësor. Këtë tendencë e kanë pasur edhe shumë shoqata jo qeveritare që veprojnë në të tre komunat. Në lidhje me mirëmbajtjen e mjedisit shëndetësor të pastër, edhe sektori joqeveritar ka pasur takime. Shoqatat qytetare të Dibrës, kryesisht ato që merren me problemet ekologjike, shpesh herë kanë bërë pastrimin e mbeturinave në Liqenin e Dibrës. Nga ana tjetër, shoqatat simotra të Komunës Mavrovë-Rostushë në vazhdimësi kanë aksione për pastrimin e Lumit Radikë nga mbeturinat e shumta, kurse shoqatat qytetare të Komunës Qendër Zhupë, sidomos dy viteve të fundit, kanë aktivitete të ndjeshme në pastrimin e mbeturinave. Në konkluzionet e tyre sektori joqeveritar nga të tre komunat është i mendimit se ky problem tejkalohet nëse aktivitetet e komunave të këtij rajoni harmonizohen së bashku. Bashkëpunimi i këtij sektori në të kaluarën tregoi se aktivistë të sektorit ekologjik të të tre komunave, së bashku morën pjesë në mbrojtjen të ujërave të lumit Radikë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara