Nëse e shikojmë edhe sivjet se ç’është shkruar e deklaruar nëpër portale dhe rrjete sociale, do të fitojmë bindjen se në luftën e 2001-shës ka pasur më shumë ushtri çlirimtare, më shumë shtabe, më shumë shefa shtabesh kryesore, më shumë përfaqësues polikë!…Ngjarjet që sollën ndryshime në statusin e shqiptarëve nuk duhet të harrohen, por as të devalvohen me shënime të improvizuara. Ato do të ishin më përmajtësore nëse do të mbaheshin çdo pesë ose dhjet vjet, pra, në përvjetorë të rrumbullakësuar dhe të shërbejnë për më shumë unitet, e jo për ndasi politike
Nga Daut DAUTI
Edhe një përvjetor i luftës…Çdo vit, në rajonin e Likovës, apo në rrethinën e Tetovës apo Shkupit, ka data për t’u shënuar nga lufta 2001. Fillimi i aksioneve të para, Kalaja e Tetovës, shpallja zones së lire në Karadak, Luboteni, Gazi Baba…, Marrëveshja e Ohrit…Një dinamikë shënimesh, të cilat krijojnë aktivitete nga vendi në vend, nga data në datë. Kështu ishte edhe para disa ditësh, me rastin e 2 majit, ditës kur zona e Karadakut qe shpallur e lirë…Pjesëmarrësit në luftë, banorët, familjet e të rënëve, për këto vite, në shumë raste kanë kujtuar çastet që shënuan ato disa muaj rezistencë në rajonet e përfshira nga operacionet ushtarake. Mirëpo, shpesh kanë rënë në sy dukuri për të cilat duhet folur haptas.
Edhe kur shkruaja kolumna në një gazetë tjetër(Dnevnik), kur vinin këto data, i shprehja dilemat nëse janë të arsyeshme gjithë këto shënime dhe sidomos për mënyrën e shënimit të tyre. Kjo veçanërisht ka rënë në sy kur është shënuar përvjetori i Marrëveshjes së Ohrit, por nuk bëjnë përjashtim as datat tjera të 2001-shës, anise në kontekst paksa më të ndryshëm. Pse?
Vjen 13 gushti, dhe bëhet një “shënim shqiptar” i Marrëveshjes së Ohrit. Gjitha aktivitetet i organizon dhe realizon Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes Kornizë, në krye të së cilit domosdo është një ministër shqiptar, pjesëmarrësit në ato aktivitete janë kryesisht shqiptarë dhe diplomatë të huaj, kurse pjesa maqedonase e pushtetit të shpeshtën qëndron anësh ose jep ndonjë deklaratë kurtoazie sa për të thënë diçka. Marrëveshja e Ohrit vërtetë e ndali luftën, por ne nuk mund ta përjetojmë si diçka për të cilën duhet të ngazëllehemi… Kështu disi pat deklaruar njëri nga kryeministrat e kaluar. Me një fjalë, shënim i përvitshëm i kësaj date mbetet halë në sy për pjesën etnike maqedonase, duke përjetuar dhe trajtuar sot e kësaj dite si një marrëveshje “të imponuar me forcë”, ndaj dhe ata që e kanë nënshkruar, i ikin me vetëdije pjesëmarrjes së tyre në këto shënime. Që t’iu iket këtyre situatave të pakëndshme, para disa vitesh pata hedhur idenë që përvjetorët e këtillë të shënohen jo çdo vit me aktivitete të përsëritura dhe pa invencë, por në përvjetorë të rrumbullakuar, në çdo pesë ose dhjetë vjet, me aktivitete më përmbajtësore.
Nëse Marrëveshja e Ohrit nuk mund t’i bëjë bashkë shqiptarë e maqedonas, ato datat tjera para të luftës, mund t’i bëjnë edhe më pak. Realisht, as që pritet të ndodhë ndonjë ndryshim radikal në qasjen e dy palëve etnike për karakterin dhe efektet e luftës. Sepse, përderisa njëra palë mendon se ajo luftë ishte e drejtë dhe e domosdoshme për shkak se kishin dështuar të gjitha përpjekjet politike për të avancuar statusin e shqiptarëve, pala tjetër e mendon të kundërtën, se lufta ishte e panevojshme dhe se ato të drejta do të arriheshin edhe pa luftë. Është e hapur mundësia që një ditë, kushedi kur, që taboret etnike t’i përafrojnë qëndrimet dhe me më shumë ngazëllim ta përkujtojnë marrëveshjen, për të cilën shqiptarët dhe shumë faktorë të tjerë, mendojnë se e shpëtoi Maqedoninë nga ndarja, por edhe se ajo nuk qe as përafërsisht e përgjakshme sa t’i çrregullojë marrëdhëniet ndëretnike përgjithnjë.
Por, edhe pse e mora si shembull të parë Marrëveshjen e Ohrit, sa për ilustrim, fjalën më tepër e kisha për përvjetorët tjerë të vitit 2001, sepse për to vlen edhe më shumë dilema e shprehur më sipër, vallë ka nevojë për manifestime përkujtimore çdo vit nga organizatat e veteranëve( që janë dy), nga BDI-ja, ku është bërthama e ish-UÇK-së, ose edhe të grupeve të ndara nga këto subjekte? Çështja nuk është e thjeshtë, sepse shpesh dominon dioptria e ndryshme ndaj ngjarjeve, por dhe një ngarkesë emotive për shkak të ndasive të sotme në skenën politike. Sikundër që për Marrëveshjen e Ohrit njëra palë më me dëshirë do të kishte zgjedhur heshtjen ose injorimin, edhe në rastin e këtyre datave tjera brenda vetë shqiptarëve paraqiten animozitete që kanë lindur pas lufte dhe ka bojkot të këtij ose atij subjekti me arsyetim përse ky e jo ai subjekt të jetë bartës aktivitetesh, kush të flasë i pari e kush më pas, kush ka më tepër e më pak merita… Për shkak të këtyre ndasive të cilat u bënë paksa edhe nga “pluralizimi” i vetë UÇK-së, kur për arsye të ndryshme, ish-pjesëtarë dhe udhëheqës të tyre u inkuadruan në subjekte të ndryshme politike, kundërshtitë e ndërsjella të tashme i përçojnë gjer ne vitin e luftës kur këso ndasish nuk ka pasur mes tyre. Mu për këtë, ka pasur disa shënime të zbehta përvjetorësh, pasi duket sikur aktivitetet me shumë fjalime çdo vit e kishin humbur kuptimin. Nëse e shikojmë edhe sivjet se ç’është shkruar e deklaruar nëpër portale dhe rrjete sociale, do të fitojmë bindjen se në luftën e 2001-shës ka pasur më shumë ushtri çlirimtare, më shumë shtabe, më shumë shefa shtabesh kryesore, më shumë përfaqësues polikë! Dhe së këndejmi, sikush ka preferuar t’i bie telit që sot mendon se është e vërteta. Kësisoj, bie fjala, një veprimtar i cili ka qenë në ato lëvizjet që sollën kryengritjet në Kosovë, Maqedoni e në luginën e Preshevës, i cili vetë nuk ka qenë i kyçur drejtpërdrejt por gjithnjë kërcënohej pas luftës me një ushtri tjetër, i jep lirinë vetes që të devalvojë luftën me teza që i kanë plasuar me vite disa qarqe maqedonase se gjoja lufta e 2001-shës është e kurdisur midis Branko Cërvenkovski dhe Ali Ahmetit! Janë të kuptueshme qëndrimet dhe interesat e ndryshme në kohë pluralizmi politik, por mohimi i idealeve për të cilat dje ishin bashkë, është fare i pakuptueshëm dhe me prapavijë të dyshimtë.
Sa më larg ngjarjeve jemi, aq më shumë do të shtohen qasjet e ndryshme, ku objektivja dhe subjektivja do të ndërhyjnë në njëra tjetrën. Ngjarjet që sollën ndryshime në statusin e shqiptarëve nuk duhet të harrohen, por as të devalvohen me shënime të improvizuara. Ideja që manifestimet të bëhen në përvjetorë të rrumbullakësuar, duhet të merret me seriozitet dhe atë ta shqyrtojnë organizatat e veteranëve dhe banorët ku janë zhvilluar këto ngjarje, sepse ato duhet të jenë përmbajtësore dhe të shërbejnë për më shumë unitet, e jo për ndasi politike. Pra, manifestime të racionalizuara në maksimum çdo pesë (ose dhjetë) vjet, mundësisht me një manifestim qendror, ndërkaq çdo vjet kurora te varrezat e dëshmorëve, pa fjalime e masivitet, do të ishte një masë e duhur respekti dhe përkushtimi.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)