Bashkë me vetingun edhe “dezinfektimi” i krimit

Para se të bëhet vetingu për të punësuarit në MPB, duhet të bëhet një veting për ministrat vetëm për periudhën për sa e ushtrojnë detyrën, kështu vlerësojnë ekspertët duke folur për procesin e reformimit në MPB i cili është në vijim e sipër

Destan JONUZI

Shkup, 12 qershor – Reformat në Drejtorin për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), kanë filluar dhe ekipet e punës duhet që deri më 15 nëntor t’i përfundojnë. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, ka informuar se me sukses po zhvillohen reformat në sistemin e ndjekjeve të komunikimeve, që rezultoi me formimin e Agjencisë Tekniko Operative (ATO) dhe se të gjitha aktivitetet operative dhe logjistike po bëhen sipas Ligjit për ndjekjen e komunikimeve. Ajo që është risi në këtë proces është aplikimi i të ashtuquajturit “Veting” (verifikim), gjegjësisht kontrolli i pasurisë së uniformave “blu” para marrjes së detyrës dhe në momentin që po e ushtrojnë detyrën, shkruan gazeta KOHA.

Kryepolici Spasovski beson se me këtë mënyrë do t’i pastrojë policinë nga strukturat e korruptuara dhe kriminale. “Me këtë proces tashmë jemi në një fazë të avancuar dhe së shpejti do të dalim me konceptin e plotë. Apeloj që një proces i tillë të zbatohet edhe në institucione tjera, për arsye se do të ishte e kotë të punojmë dhe të bëjmë që një institucion ku do të verifikohen dhe eliminohen persona të cilët ndoshta kanë lidhje me strukturat kriminale, ndërsa nga ana tjetër të ketë institucione të cilët bashkëpunojnë me struktura kriminale”, ka deklaruar Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme (MPB). Voislav Zafirovski, ish-ndihmës ministër për kontroll të brendshëm në MPB thotë se para se të bëhet veting ndaj të punësuarve në polici, duhet tu bëhet veting ministrave. “Së pari, ministrave duhet t’u bëhet veting, edhe atë vetëm për periudhën që ministrat do ta ushtrojnë detyrën. Nuk dua të deklarohem për gjëra të kota cilat plasohen vetëm për tërhequr vëmendjen nga përgjegjësia e zyrtarëve aktual. Është e rrezikshme”, deklaroi për gazetën KOHA, Zafirovski.

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Hasim Murtezani vlerëson se vetingu është iniciativë e vonuar e cila lindë si kërkesë e plotësimit të kritereve për aderimin e vendit në Bashkësinë Evropiane dhe NATO. “Në MPB kemi disa defekte dhe atë: Kuadro të pakualifikuar, kuadro të përfshirë në afera korruptuese dhe kriminale, kuadro që kanë vepruar me urdhra politik dhe të anshëm dhe kuadro të dështuar në realizimin e detyrave të caktuara. Të gjithë këto kategori nuk kanë vend në DSK dhe reformimi është i detyrueshëm me qëllim që vendi të mere nota pozitive për vazhdimin e rrugës drejtë integrimeve! Por, reformimi është proces i cili për të pasur realizim të suksesshëm duhet patjetër të ketë bashkëpunim shumë kahesh gjegjësisht reforma duhet të përfshijë edhe gjykatat dhe prokurorinë si institucione të cilat varen lufta ndaj krimit dhe korrupsionit. Do ishte e paefektshme nëse reforma realizohet në MPB dhe i njëjta pa reforma do dështonte nëpër prokurori dhe gjykata”, u shprehe Murtezani për gazetën KOHA. Sipas tij, duhet të “dezinfektohet” krimi i tërë sistemi të drejtësisë dhe sigurisë nga infektimet që ka prekur krimi i organizuar dhe korrupsioni. (koha.mk)