Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 mars – Rritja e madhe e kredive në periudhën e kaluar ka rritur edhe fitimin e bankave në Maqedoni. Vetëm në periudhën dhjetor i vitit 2016 deri në janar të vitit 2018 shënon rritje kreditimi i popullatës prej 120 miliardë denarë në afër 143 miliardë denarë, shkruan gazeta KOHA.
Rritja e fitimit të bankave, kryesisht vjen si rezultat i rritjes së profitit nga dallimi midis kamatave të kredive që miratohen dhe kursimeve që ju paguhen qytetarëve, uljes së harxhimeve të ndryshme të bankave, kompensimeve etj. Ekonomistët thonë se qytetarët të ballafaquar me pagat e ulëta që vështirë mbulojnë harxhimet mujore janë të detyruar të hyjnë në borxh për kredi konsumatore apo banesore, minuse në kartelat kreditore apo llogaritë rrjedhëse për të cilat bankat që e kanë biznesin dhënien e parave me qira , fitojnë shuma të mëdha të fitimit.
Për rritjen e madhe të fitimit të bankave në 12 vitet e fundit flet edhe fakti se fitimi i tyre është rritur për katër herë nga 23 milion euro fitime të të gjithë sektorit bankar në vitit 2006 në mbi 80 milion euro vetëm nëse llogarisim vetëm fitimin e treshes së bankave më të mëdha si Tutunska Banka, Stopanska dhe Komercijalna.
Sipas raporteve të publikuara në Bursën e Maqedonisë, NLB Banka ka shënuar të ardhura prej 87 milionë euro dhe fitim prej 34.5 milionë euro që paraqet një rritje prej afër 9 milionë euro në raport me fitimin prej 25.7 milionë euro në vitin 2016. Të ardhurat e kësaj banke vijnë me afër 57 milion euro prej kamatave, me afër 24 milionë euro prej provizioneve dhe kompensimeve të ndryshme etj. Stopanska Banka ka realizuar në vitin e kaluar të ardhura prej 98 milion euro dhe fitim prej 33 milion euro.
Të ardhurat prej kamatave kanë qenë 72 milion euro , nga provizionet dhe kompensimet shënohen fitime prej 17 milionë euro etj. Kjo bankë shënon ulje të butë të fitimit prej afër 3 milion euro në raport me vitin 2016 kur ka pasur fitim prej 36.5 milionë euro.
Banka Komerciale në vitin 2017 shënon të ardhura prej afër 97 milionë euro dhe fitim prej 13.8 14 milionë.
Nga kamatat kjo bankë ka fituar afër 58 milionë euro, ndërsa nga kompensimet dhe provizionet ka fituar afër 19 milion euro. Kjo bankë shënon rritje të fitimit prej 1 milion euro në raport me vitin 2016. TTK Banka në vitin 2017 ka pasur profit prej 9.6 milionë ero dhe
fitim të pastër prej 1.6 milion euro, ndërsa Stopanska Banka e Manastirit ka pasur të ardhura prej 10.6 milionë euro dhe fitim prej afër 700 mijë euro.
Në ndërkohë, të ardhura të rëndësishme bankat vjelin nga neto të ardhurat e kamatave, apo nga dallimi midis kamatave të kredive që miratohen dhe kursimeve që ju paguhen qytetarëve . Nga ana tjetër, bankat harxhojnë një pjesë të fitimit edhe për të mbuluar pagat e të punësuarve, për rezervimin e kredive të këqija, ose humbjet për shkak të dëmtimit gjegjësisht përmirësimit të vlerës së mjeteve financiare.
Ndryshe, një pjesë e ekspertëve financiar thonë se fitimet e mëdha në kamata të një pjese të bankave si rrjedhojë e marzhave që për një pjesë të bankave më të mëdha në vend arrijnë bile 500 për qind, shkaktojnë që bankat të jetojnë vetëm nga kamatat e kredive, dhe të mos jenë pjesëmarrësve aktive në rrjedhat financiare vendore dhe rritjen ekonomike të shtetit. (koha.mk)