Kalkulimet dhe lojërat çojnë në humnerë. Më shumë se kurrë patetizmit shovinist duhet kundërpërgjigjur me koordinim politik të eshalonit shqiptar. Kjo edhe do kthente besimin e popullit tek ata, edhe do fuqizonin karakterin politikë në vend, edhe do realizohen të drejtat tona jetike, thotë politologu Ariton Rama.
Xhenur ISENI
Shkup, 8 mars – Tash kur Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe synon të integrohet BE dhe ka përqafuar vlerat universale që përfaqësojnë këto institucione ndërkombëtare, çdo lloj diskriminimi duhet të bëhet pjesë e të kaluarës dhe e ardhmja duhet të bazohet në mirëkuptimin dhe harmoninë ndëretnike por edhe në respektimin e të drejtave bazike të çdo qytetari. Por një gjë e tillë ende nuk po ndodhë, sidomos kur kanë të bëjnë me të drejtat me rëndësi jetike për shqiptarët, partitë maqedonase unifikohen dhe gjejnë mënyra për të mos u votuar ligje që janë në interes të qytetarëve shqiptarë. Shembulli i fundit është ajo i ligjit për shtetësi në të cilën shumë shqiptarë do ta fitonin të drejtën elementare bazë, atë të shtetësisë, por kundër të njëjtës kanë dalë dy partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM. Në fakt partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ka bllokuar ligjin me 600 amendamente, ndërsa opozita shqiptare e përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa këtë veprim e kanë quajtur si jo njerëzore dhe të ligë dhe kanë kërcënuar se pas këtij akti, do të bllokojnë gjitha ligjet në parlament nëse nuk votohet ligji për shtetësi. Por menjëherë pas bllokimit të ligjit për shtetësi, Kryeministri Zoran Zaev ka ftuar opozitën të futet në Qeverinë e tij, por pa kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Nga VMRO-DPMNE thonë se janë të gatshëm të diskutojnë, por për një qeveri ekspertësh që do të udhëhiqet nga person mbi partiak, e që do të organizonte edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Posaçërisht para zgjedhjeve më mirë do ti vinte të kishte qeveri ekspertësh. E cila do të ketë kapacitet të ketë mbështetje më të gjerë e të ofrojë projekte reale për dalje nga kjo krizë të cilën Zaev nuk është i aftë ta menaxhoj. Kështu që nëse Qeveri ekspertësh me në krye një person që do të jetë i pranueshëm për të gjithë, figurë mbipartiak që mund ta udhëheq Qeverinë para deri në zgjedhje lokale, e më pas të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale, ne jemi të gatshëm të flasim për koncept të tillë”, pohoi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.
Ndërsa, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela ndaj propozimit të kryeministrit Zoran Zaev, tha se opozita shqiptare ASH-AAA është e gatshme të hyjë në Qeveri të zgjeruar por me kushtet e saj. Ai kërkon që kjo Qeveri të bëj ndryshime kushtetuese me qëllim që të hiqet 20 për qindëshi në ligjin për gjuhët, task forcë nga BE për zbardhjen e siç tha ai rasteve të montuara politike si dhe zgjedhja e problemit me qytetarët pa nënshtetësi.
“Në qoftë se e ka me gjithë mend, Aleanca për Shqiptarët do të ishte e gatshme të diskutojë diçka të tillë, nëse paraprakisht kjo Qeveri e zgjeruar merr për obligim ndryshimet kushtetuese për të heqë 20% për gjuhët. Qeveria e re ti drejtohet BE-së për task forcë me gjykatës dhe prokurorë për ti hapur proceset e montuara politike dhe natyrisht atë që është ofruar nga neve si koalicion, si Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, lidhur me çështjen e shtetësisë, de bllokimin dhe zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes së qytetarëve të cilët nuk kanë shtetësi këtu në Maqedoninë e Veriut”, tha Ziadin Sela, ASH-AAA.
Kur flasim mbi unifikimin politik të partive politike maqedonase për temat jetike të një komuniteti shtet-formues siç janë shqiptarët, nuk ka hapësirë për asnjë komentim apo analizë politike, e quaj patetike këtë akt sepse janë thyer përgjegjësitë politike mes këtyre partive maqedonase që ka cenuar edhe bindjen e partive tona politike, thotë politologu Ariton Rama. Sipas tij tashmë mes LSDM dhe VMRO nuk është në pyetje as koncepti qytetar, as proceset euroatlantike e as emri, por forcimi i fatit të tyre nëpërmjet fatit tonë.
“VMRO e pret prishjen e harmonisë politike e sidomos atyre qeveritare, LSDM e mirëpret hapësirën për të treguar dominancën politike dhe kamuflimin me tematika dështuese në disa pore politike shoqërore. Andaj tash ngelet cenimi apo betonimi i bindjeve politike të partive tona shqiptare. BESA- grafën etnike, koalicioni ASH/AAA-ligjin për përkatësi etnike dhe BDI- eksperta ndërkombëtar për rastet e montuar gjyqësore. Unifikimi është i vështirë kur ka kalkulime dhe krenari, në dashurinë etnike. Kalkulimet dhe lojërat çojnë në humnerë. Më shumë se kurrë patetizmit shovinist duhet kundërpërgjigjur me koordinim politikë të eshalonit shqiptar. Kjo edhe do kthente besimin tek ata nga populli, edhe do fuqizonin karakterin politikë në vend, edhe do realizohen të drejtat tona jetike. Sepse aty ku mohohet ekzistenca etnike, prezenca fizike dhe e drejta, nuk ka sens liria e as demokracia, andaj këtij akti nuk duhet përgjigjur vetëm për këto tema, por është vend dhe koha të hapen gjitha temat dhe kapitujt deri në fund”, ka deklaruar për KOHA, Ariton Rama, politolog.
Partitë maqedonase janë rreshtuar me vite të tëra në dy blloqe të udhëhequra nga LSDM e VMRO-DPME që marrin pjesë në gjitha ciklet zgjedhore dhe i koordinojnë politikat e tyre në interes të popullit të tyre dhe të shtetit, ndërsa partitë shqiptare të diskriminuar në ligje, të kërcënuar me strategji, i kanë lejuar vetes komoditetin që në shumë çështje në interes jetik të shqiptarëve në RMV të mos jenë të unifikuar. Përvec ligjit për shtetësi, në Maqedoninë e Veriut po diskutohet edhe ligji shënimi i përkatësisë etnike në letërnjoftim, gjithashtu në interes të shqiptarëve sepse shpesh në konkurset në disa institucione, vendet e punës të rezervuara për shqiptarët i kanë zënë maqedonasit, sepse këta të fundit vetëm e vetëm që të punësohen, janë vetëdeklaruar shqiptarë. Partitë shqiptare në përgjithësi e mbështesin këtë propozim të iniciuar nga Lëvizja Besa. Deri më tani kundër propozimit që në letërnjoftim të ekzistojë përcaktimi etnik janë partitë maqedonase Lidhja demokratike e Pavle Trajanovit dhe “E Majta” e Dimitar Apasievit, një pjesë e madhe e VMRO-DPMNE-së, por edhe kryeministri Zoran Zaev që tërthorrazi kundërshton propozim ligjin e Lëvizjes BESA.