Shkup, 18 shkurt – Kreu i demokratëve shqiptarë, Lulzim Basha pas takimit të sotëm me presidentin Ilir Meta deklaroi se është njohur me fakte dhe prova tronditëse të përfshirjes kriminale të zyrtarëve të lartë të shumicës në kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, njofton Ora News, është investuar hapur për kapjen e Kushtetueses, ndërsa shtoi se kjo strukturë i duhet kryeministrit Edi Rama për të mbrojtur dhe liruar kriminelët, transmeton gazeta KOHA.
Basha me këtë rast i dha një mesazh të prerë kryeministrit Rama, ndërsa tha se s’ka forcë të mbidheshme të ndalë rrotacionin politik.
Lulzim Basha vuri menjëherë në zbatim kërkesën e presidentit, duke mbledhur pa humbur kohe aleatët opozitarë për ti njohur me atë që Kreu i Shtetit, por dhe kreu i opozitës e cilësojnë “ përpjekje e Rilindjes për grusht shteti”.
Pas këtij takimi, Basha, zbuloi detaje ndërsa tha se kur bien garancitë kushtetuese, çdokush është i rrezikuar.
“Ky nuk është një zhvillim surprizë, ky zhvillim vjen në gërmadha të një demokracie të asgjësuar. Në një vend pa parlament legjitim, pa pushtet vendor. Dua të konfirmoj vendosmërinë tonë për të ndjekur pikë për pikë udhërrëfyesin e EVropës, udhërrëfyesin gjerman për të dalë nga kriza”, tha ai.
Kapja e Gjykatës Kushtetuese është objektiv i Edi Ramës. Ramës i duhet Gjykata Kushtetuese për të mbrojtur pushtetin e paligjshëm. Ky është, sic e cilëson Presidenti një grusht i pastër institucional shteti. Nuk bëhet me tanke, por me shërbëtore të bindur të qeverisë.
Ne do të marrim çdo vendim, duke i bërë thirrje çdo qytetari që hapa të tillë që shkatërrojnë themelin e demokracisë, Kushtetutën të ndeshen me bashkimin më të madh qytetar dhe me rezistencën më të madhe qytetare. Kur bie Kushtetuta çdokush është i rrezikuar.
Këto lëvizje politike erdhën në 18 shkurt, kur sot një vit më parë opozita dogji mandatet. Basha u kujdes t’i japë një mesazh të prerë kryeministrit Rama.
Nuk ka forcë mbi këtë dhe që do të ndalë rrotacionin. Edi Rama i ka bërë hesapet gabim, ja kam thënë para një muaji dhe po ja përsëris, nuk ka forcë mbi tokë ta ndalë rrotacionin. Unë mbetem i përkushtuar që procesin ta përfundoj me mjete politike, për hir të vendit, stabilitetit, këtyre familjarëve dhe fëmijëve të tyre duhet që kjo të vijë pa kosto për shqiptarët. Boll kanë paguar kosto, 30 vjet kosto rrotacion pas rrotacioni.
Basha tha se opozita momentalisht është përqendruar tek instrumentat politik që diktohen edhe nga Bundestagu gjerman, ndërsa i bën apel shqiptarëve që të jenë bashkë në rezistencën kundër kapjes së Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjes së demokracisë.(koha.mk)