Tiranë, 19 nëntor – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Berati përsëriti akuzat e tij të vazhdueshme kundër qeverisë. Sipas tij, opozita nuk kthehet në Kuvend, pa u bërë vetting-u i politikanëve.
Kreu i opozitës tha se pakti i Edi Ramës me krimin është në themel të tjetërsimit të qeverisjes, e cila i shërben një grushti bandash dhe jo interesit të qytetarëve.
“E gjithë koha e Edi Ramës, kur nuk merret me ekspozita luksi, si ajo që është tani në Gjermani, merret me mbyllje dosjesh, të vëllait të vet, Olsi Rama, i kapur në trafik droge, Tahirit, Dakos, Xhafës, Ballës, Sejdinit e të tjerëve”, deklaroi Basha
Kreu i opozitës tha se: Nuk ka për të patur asnjë lloj kompromisi pa pastruar politikën nga krimi. Kompromis me krimin nuk mund të bëjmë, ndaj u bëjmë thirrje të gjithëve, edhe atyre që bëjnë sikur nuk dëgjojnë se kthim në parlamentin e lidhur me krimin nuk ka e nuk do të ketë.
“Zgjidhja politike është aty. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se standardi që miratuan për prokurorët dhe gjyqtarët. I njëjti standard që Venezia rekomandoi për këta, i njëjti standard që bëri ligj për policët dhe gardistët, i njëjti standard duhet të vleje për politikën. Kjo është vijë e kuqe për opozitën. Trajtim preferencial për politikanët nuk ka për të patur”, tha Basha, njofton Top Channel.
Ndërkohë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ishte sot në qytetin e Sarandës, ku zhvilloi një takim me strukturat e partisë atje.
Numri një i LSI-së pranoi se së bashku me Frontin Opozitar, kanë nisur tashmë përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 30 Qershor.
“Ne tashmë jemi në një front opozitar. Do të shkojmë drejt marrëveshjeve të cilat do të hyjmë bashkërisht në zgjedhjet lokale, në përzgjedhjet e kandidatëve. Është jashtëzakonisht e domosdoshme funksionimi dhe riorganizimi i strukturave tona si një bllok opozitar, kundër një të keqeje shumë të madhe, që është qeverisja e një sekti kriminal si Rilindja”, deklaroi Kryemadhi nga Saranda.
Kreu i LSI-së deklaroi gjithashtu se ka filluar tashmë puna për përzgjedhjen e kandidatëve si në Partinë Demokratike, ashtu edhe në partitë e tjera të bllokut opozitar, me synim që të identifikohen kandidatët fitues.