Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se opozita nuk ka për të ndalur aksionin e saj politik që ka për qëllim vendosjen e sistemit demokratik. Ai theksoi se nuk do të ketë kthim pas në kërkesat e saj ndërsa akuzoi qeverinë se është e kapur nga krimi.
“Në Europë nuk shkohet me gënjeshtra, nuk shkohet me hilera, nuk shkohet me një shtet të kapur nga krimi. Shkohet me vlera, me të vërteta, me një shtet të çliruar nga keqqeverisja në bashkëpunim me krimin dhe me një parlament të zgjedhur nga vota e qytetarëve shqiptarë. Dalja e opozitës është pa kthim, kriza politike është reale. Hapi i parë i domosdoshëm është çuarja para drejtësisë e të gjithë politikanëve socialist të kapur nga prokuroria, zyrtarisht, në bashkëpunim me krimin e organizuar duke shkatërruar procesin zgjedhor të vitit 2017-të”.
Basha u pyet edhe nëse do të ketë zgjedhje vendore.
“Çështja e zgjedhjeve lokale, zgjidhet vetëm pasi të ndëshkohen ata të cilët janë kapur duke vjedhur zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale të kaluara. Pra pa u ndëshkuar, pa marrë fund ky model i bashkëpunimit të hapur me krimin e organizuar dhe qeverisjes, as që mund të bëhet fjalë për normalitet apo për zgjedhje të tjera”.
Basha deklaroi se gjatë vizitës në Berlin ka gjetur mbështetje për axhendën opozitare, për të cilin tha se shkon përtej zëvendësimit të kësaj qeverie me një qeveri tjetër./tv klan/