Tiranë, 14 prill – Me fjalimin para selisë së Partisë Demokratike, të liderit Lulzim Basha, intonimit të himnit kombëtar dhe me brohoritjen para popullit të tubuar “Basha, Basha”, “Rama ik”, përfundoi mbrëmë protesta e tretë kombëtare e opozitës së bashkuar shqiptare, përcjellë KOHA.
Protesta, e cila ka zgjatur rreth katër e gjysëm, sipas Bashës ka qenë më masovike në historinë e vendit.
“Le ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët dhe e gjithë bota mbarë, se ne nuk do të bëjmë kompromis me qeverinë e krimit dhe votave të vjedhura. Ne nuk do të bëjmë kompromis me parimin themelor të demokracisë, që është vota e lirë, pasi e duam Shqipërinë si gjithë Evropa. Me Edi Ramën nuk ka zhvillim, nuk ka marrëveshje. Që sot e tutje, ligji, shteti dhe drejtësia, janë sovrani i mbledhur në këtë shesh”, tha Rama.
Ai paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë me intensitetin e njëjtë, derisa nuk rrëzohet qeveria e Edi Ramës.
“Do ta vazhdojmë këtë betejë, pasi jemi në rrugën e sigurtë drejt çlirimit të vendit nga kjo bandë kriminele. Sot jemi shumicë morale dhe fizike, e cila përgjithmonë do ta ndryshojë fatin e vendit, duke i kthyer vlerat e vërteta të demokracisë”, tha Basha.
Kryetari i nderit i demokratëve, Sali Berisha, sipas të cilit në protestë ka pasur mbi 200.000 pjesëmarrës, vlerëson se protesta i ka treguar botës se shqiptarët janë në kryengritje.
Ndërkaq, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila është bashkëshorte e presidentit Ilir Meta, porositi se secili kryeministër i ardhshëm duhet të bëjë analizë psikologjike, pasi vendi nuk mund të jetë në duart e një njeriu të sëmurë psikik, duke aluduar në Ramën.
Edi Rama, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Kuvajt, kërkoi solidaritet me nëpunësit policorë, të cilët Basha dhe Kryemadhi i kanë quajtur “politikanë të verbër”, të cilët shkojnë në rrugën e vetshkatërrimit. Ai në Tiranë nuk ishte edhe gjatë dy protestave paraprake, të mbajtura në shkurt dhe mars.
Ndryshe, protesta kaloi me plotë situata të tensionuara, fillimisht me thyerjen e kordonit policor para Qeverisë, e pastaj edhe para Kuvendit.
Nga mjetet piroteknike dhe sendeve të forta të gjuajtura në drejtim të kordonit policor, janë lënduar pesë policë. Ata janë dërguar në Klinikën universitare, ndërsa njëri prej tyre ka të djegura në fytyrë.
Demonstruesit para Kuvendit kanë shkatërruar vitrina të dyqaneve, ndërsa kanë djegur edhe një automjet dhe disa kontejnerë për mbeturina.
Policia me këtë rast ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji.
Pas përfundimit të protestës janë arrestuar të paktën 20 persona. (koha.mk)