Lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha e përshëndeti miratimin e ndryshimeve kushtetuese nga Parlamenti i Maqedonisë dhe vlerësoi se ky akt i përgjegjësisë së lartë politike është hap historik për konsolidimin e rajonit.
“Përshëndes votimin e ndryshimeve kushtetuese nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Ky akt i përgjegjshmërisë së lartë politike është një hap historik për konsolidimin e rajonit si pjesë e familjes Euroatlantike që forcon paqen, sigurinë dhe vlerat demokratike”, shkroi Basha në Tuiter.
Për votimin e ndryshimeve kushtetuese reagoi edhe ish-shefi i diplomacisë shqiptare, Tritan Shehu.
Përmes një postimi në “Facebook”, Shehu theksoi se Maqedonia e Veriut tashmë nga NATO, do të jetë shumë më afër Bashkimit Evropian e Perëndimit.
Mes të tjerash Shehu vlerësoi kontributin e partive shqiptare në Maqedoni.
“Urimet me te mira Maqedonisë së Veriut.
Maqedonia e Veriut tashme në NATO e shumë më afër Bashkimit Evropian e Perëndimit.
Një arritje e madhe kjo, një tejkalim vështirësish e pengesash jo të vogla, të krijuara nga brenda e jashtë atij vendi, nga ata që donin ta shtynin drejt Lindjes. Dhe në këtë rrugëtim suksesi, një forcë shtytëse thelbësore ishte faktori dhe forcat politike shqiptare. Tashmë besoj se gjerat mund të jenë më mirë për atë vend e Rajonin tonë”, shkruan Shehu.