Basha: Më 11 maj, përballja vendimtare; Kryemadhi: Të ardhme pa Ramën

Në Lezhë, ku socialistët synojne t’iu marrin demokratëve drejtimin e Bashkisë me Pjerin Ndreun, Lulzim Basha sulmoi ashpër kandidatin e Partisë Socialiste, shkruan TCH, transmeton gazeta Koha.

“Edi Rama bashkë me Pjerin Ndreun e Paulin Sterkajn shndërruan fushatën elektorale të vitit 2017 në fushatën e korrje-shirjeve të krimit, si kapitenët e vërtetë të vjedhjes, blerjes dhe tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve”, tha Basha.
Kryedemokrati nuk harroi as akuzat për Edi Ramën. Anëtarësimi i 150 të rinjve lezhianë në Partinë Demokratike, sipas Bashës është tregues se askush nuk e do më modelin e Edi Ramës.

“Me propagandë të shfrenuar po mundohet t’iu mbushë mendjen shqiptarëve se Shqipëria nuk ka asnjë problem. E kuptoni se deri ku shkon çoroditja. I ka ikur truri…”, tha Basha duke përsëritur britmën e një ndjekësi në sallë.

Për largimin e Ramës, Basha u tha lezhianëve se duhet t’i bashkohen në protestën e 11 majit.

“11 maji na thërret në një tjetër përballje vendimtare”, u shpreh Basha.

Teksa Basha bënte thirrje për protestën e katërt kombëtare, në Tiranë në të njëjtën kohë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, nga Konventa e partisë i parashikoi Ramës të ardhmen pas 11 majit.
“Edhe si doktoreshë, edhe si fallxhore, e parashikoj të ardhmen e Shqipërisë të ndritur, të begatë, pa Edi Ramën kryeministër”, tha Monika Kryemadhi.