Kritika të forta ka artikuluar kryetari i partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, pas nismës “Ballkani i Hapur” të prezantuar sot në Shkup.
Lulzim Basha e komentoi si hipokrizi, pasi sipas tij në këto takime po prodhojnë vetëm fotografi nga dëshira për protagonizëm dhe jo përpjekje për njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbis.
“Në atë takim nuk e di se çfarë po bëjnë dhe po prodhojnë përveç fotografive. Pozicioni është ai që ka qenë. Duhet ti japim fund hipokrizisë, lehtësimi i lëvizjes së lirë është një përparësi një synim dhe kërkesë e të gjitha proceseve ku janë të përfshira vendet e Ballkanit Perëndimor. Kanë dëshirë për protagonizëm dalin e bëjnë fotografi në këto ditë vere të nxehta, po kthehet në alibi dhe ngecje në vend të objektivave që duhet të ketë secili nga shtetet në rajon, duke filluar me njohjen e ndërsjellë të republikës së Serbisë dhe të Kosovës. Të na kursejnë një film të parë e të stërparë, që nuk po prodhon gjë për qytetarët. PD e mbështet dialogun mes dy vendeve.”,– tha Basha.
Deklaratat, Basha i bëri pas takimit me kreun e Komunës së Bujanovcit, Nagip Arifi, në selinë e PD-së, ku kryedemokrati ka ngritur shqetësimin se shqiptarët në Luginën e Preshevës po përballen me spastrim etnik nga Serbia.