Tiranë, 23 shkurt – Kreu i opozitës shqiptare Lulzim Basha paralajmëroi se do të përshkallëzohet më tej protesta e nisur më 18 shkurt nëse nuk krijohet qeveri teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, transmeton ATSH. Sipas tij nëse refuzohet kërkesat e demokratëve, opozita do bllokojë funksionimin e shtetit me mjete ligjore. “Do përshkallëzojmë protestën deri në krijimin e qeverisë teknike që do sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme. Do bllokojmë vendin e shtetin me rrugë ligjore e demokratike”, u shpreh Basha për emisionin “Opinion” nga çadra e protestuesve të PD.
Nga kjo betejë nuk ka kthim pas, deklaroi Basha, duke shtuar se dalja nga kjo strategji është ajo e fitores së kauzës. “Unë do të qëndroj këtu deri në fitoren e kauzës së qytetarëve, deri në largimin e kësaj qeverie dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha ai. Sipas Bashës kjo që po ndodh sot nuk është miting politik po është ngritja e popullit për t’i thënë jo krimit dhe bandave.
“Ne vijmë si një parti e rinovuar në vendimmarrje dhe në lidership, ka me dhjetëra të rinj dhe të reja të cilët kanë studiuar këtu dhe në vendet perëndimore, e vijnë në PD për të dhënë idetë e tyre”, nënvizoi kryedemokrati Basha. Më tej, Basha ripërsëriti qendrimin e tij se Vettingu do të votohet nga PD, pasi të krijohet qeveria teknike. “PD do ta votojë vettingun më krijimin e qeverisë teknike dhe mbajtjen e premtimit të mazhorancës për 7 ligjet konsensuale për paketën në drejtësi”, është shprehur Basha.