Tiranë, 26 shkurt – Gjatë fjalës së tij në protestën para Parlamentit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se qeveria ndryshoi ditën e seancës plenare për shkak se kanë frikë nga zemërimi i popullit.
Përpara protestuesve, Basha, siç transmeton ATSH, u shpreh se nuk do të ketë asnjë minutë paqeje me qeverinë që i ka shpallur luftë demokracisë, përcjellë gazeta KOHA.
“Ato karrige nuk janë të narkotrafikantëve dhe hajdutëve, ato karrige që sot zaptohen nga banditët e veshur me imunitet dhe pushtet nuk tregojnë asgjë, sepse pushteti i vërtet i takon qytetarëve shqiptarë, i takon popullit. Ne të gjithë bashkë ishim njoftuar për seancën e ditës së enjte, ku sipas rregullave dhe ligjit duhej të mblidheshin në atë sallë për të reflektuar orët e fundit përpara se populli t’i fshijë dhe t’i marrë përpara. Por nga bashkimi popullor në mënyrë ilegale ata ndryshuan orarin se menduan se mund t’i shpëtojnë zemërimit të njerëzve. Unë e di se kur më parë nuk është mbledhur një numër kaq i lartë qytetarësh brenda një ore. Nuk do të ketë më asnjë minutë paqeje me qeverinë që i ka shpallur luftë demokracisë, kushtetutës dhe popullit”, u shpreh Basha.
Basha u shpreh se opozita po lufton për vlerat evropiane të Shqipërisë dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Ne e kemi nisur këtë betejë për fatin evropian të vendit. Ne luftojmë për vlerat evropiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe jo votës së diktuar nga narkomafia, të pushtetit të ndarë dhe jo kapjes së drejtësisë për të mbrojtur kriminelet. Ky vend nuk është i varfër por i vjedhur, ky është fundi i hajdutëve”, theksoi Basha.
Kjo është protesta e tretë brenda muajit shkurt e partive opozitare.(koha.mk)