Juventus festoi titullin e tetë radhazi në Serie A pas përfundimit të ndeshjes ndaj Atalantas. Më pas ka qenë festa për lamtumirën e Andrea Barzagli, i cili largohet nga futbolli i luajtur pas 8 sezonesh tek Juventus, të cilët në vitin 2011 e blenë nga Wolsburg për 300 mijë euro.
Në festën e organizuar në nder të qendërmbrojtësit 38-vjeçar ka qenë i ftuar edhe Paul Pogba, i cili ka udhëtuar nga Manchesteri për në Torino, aty ku iu bashkua ish-shokëve të skuadrës.
Në këtë mbrëmje nuk munguan as trajneri Allegri, që do të largohet në fund të këtij sezoni. Po ashtu, me ta u bashkua dhe Gianbluigi Buffon, Fernando Llorente dhe Aaron Ramsey.
Prezenca e Pogbas në ambientin bardhezi ka bërë që tifozët e Juventusit të shpresojnë për një rikthim të tij në “Allianz Stadium”, edhe pse për francezit thuhet se ëndërron të bashkohet tek Real Madridi me Zinedine Zidane.
“Njeri dhe lojtar i madh. Po tani? Sigurisht që do të jesh më i miri, çfarëdo që do të bësh. Ti je shembull për të gjithë futbollistët”, shkroi Pogba në Instagram për lamtumirën e Barzagli nga futbolli.