Ky barrikadim i partive politike dhe i shoqërisë civile po bëhet para se presidenti Thaçi ta prezantojë në Bruksel idenë për “korrigjimin e kufijve” në takimin e radhës me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq, më 7 shtator
Përfaqësues të partive opozitare, por edhe ata të shoqërisë civile dhe një pjesë e koalicionit qeverisës (AAK dhe Nisma) janë barrikaduar për ta kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve”. Të martën pritet që Kuvendi ta mbajë seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga subjektet opozitare për ta kundërshtuar “prekjen” e kufijve.
Kurse shoqëria civile për këtë çështje ka thirrur protestë për të mërkurën. Subjektet opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, por edhe dy partnerët e koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate janë barrikaduar kundër idesë së presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për korrigjim të kufijve. Këto subjekte politike pritet që në seancën e jashtëzakonshme që mbahet nesër ta votojnë një rezolutë ku shprehet qëndrimi i legjislativit të Kosovës kundër ndryshimit të kufijve. Po ashtu kundër idesë së Thaçit do të protestohet të mërkurën nga shoqëria civile. Ky barrikadim i partive politike dhe i shoqërisë civile po bëhet para se presidenti Thaçi ta prezantojë në Bruksel idenë për “korrigjimin e kufijve” në takimin e radhës me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq, më 7 shtator.
Edhe Partia Social Demokrate ka kohë që e kërkon një seancë të jashtëzakonshme sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi, ka thënë Dardan Sejdiu, shef i Grupit Parlamentar të këtij subjekti partiak. Ai insiston se çështja e dialogut duhet t’i takojë Kuvendit të Kosovës në të kundërtën shkelet Kushtetuta. ”Dialogu duhet t’i kthehet Kuvendit. Ne kemi përkrahur dhe jemi për që të kemi një seancë të jashtëzakonshme”. ”Besoj që rezoluta do të ketë mjaftueshëm votat që të kalojë. Kjo është hap i mirë përpara. Dialogu duhet të kthehet në Kuvend dhe kjo ndodh duke ndërtuar një platformë Kuvendi. Çdo lloj diskutimi me palët e tjera jashtë Kuvendit pa mandat të Kuvendit të Kosovës është në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila është republikë parlamentare”.
Në ndërkohë, këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci, e ka vlerësuar absurde seancën e jashtëzakonshme parlamentare të thirrur për të martën nga opozita për të diskutuar për dialogun me Serbinë. Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se është e pafalshme për opozitën që ta shtrojë për debat ndarjen e Kosovës në Kuvend. Sipas tij, subjektet opozitare po e legjitimojnë këtë temë kur kjo çështje nuk është temë e dialogut Kosovë-Serbi. Stavileci ka deklaruar se është e panevojshme që Kuvendi të nxjerrë rezolutë për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës kur atë e garanton Kushtetuta e Republikës.
Duke folur për idenë e presidentit për korrigjimin e kufirit me Serbinë, përmes të cilit synohet që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, ai ka thënë se PDK-ja do të ishte e lumtur që nëse në fund të këtij procesi negociator, Lugina do t’i bashkohet Kosovës.