Evis HALILI
Shkup, 3 mars – Në Ministrinë e Kulturës kanë nisur të nënshkruhen kontratat me fituesit e Konkursit vjetor të kulturës, ndërsa adresa për shqyrtimin e ankesave ashtu si edhe afati i tyre ka ndryshuar, shkruan gazeta KOHA. Me rregulloren e re, punën e komisioneve të Ministrisë së Kulturës do ta bëjë Komisioni i shkallës së dytë në Qeveri, i cili është autorizuar për të vendosur se cilat ankesa do të refuzohen ose do të pranohen. Sipas sekretarit shtetëror, Behixhudin Shehapi, kjo mënyrë e re krijon një handikap në mënyrën sesi do të bëhet selektimi, por edhe për periudhën që do të zgjasë. Numri më i madh i ankesave pritet të paraqitet gjatë kësaj periudhe, kur të gjithë aplikuesit marrin vendimin e Ministrisë, por edhe pas nënshkrimit të kontratës ku saktësohet se cila do të jetë shuma me të cilën është mbështetur projekti. Ankesat janë artikuluar menjëherë pas shpalljes së rezultateve dhe bazoheshin në shumat e vogla të ndara për projekte të veçanta, kryesisht tek botimet. Sipas përllogaritjeve të deritanishme, shuma totale që është ndarë nga buxheti për të mbështetur institucionet dhe projektet në kulturën shqiptare është rreth 14 milionë denarë.
“Kjo është hera e parë që ankesat të mos shqyrtohen nga komisionet brenda ministrisë, por nga Komisioni i shkallës së dytë. Arsyeja është që të mos ketë pakënaqësi me rezultatet, por që gjithsesi bart edhe një hendikep. Sa i takon shumës që është akorduar për institucione dhe projekte në veçanti ndoshta mund të ketë edhe raste kur mbështetja është e vogël, por gjithsesi jemi kujdesur që të mos ketë dallime”, thotë për KOHA, Shehapi.
Kjo formë e re e ankimimit do të shtyjë edhe afatin e shqyrtimit, si edhe rezultatet të cilat do të shpallen më vonë se zakonisht. Në këtë komision kanë nisur tashme të depozitohen ankesat dhe sipas anëtarit Jetmir Lika, gjasat që vendimet të jenë pozitive për projektet shqiptare janë të vogla, për shkak se numri i anëtarëve shqiptarë është vetëm tre, nga gjithsej 11 anëtarë.
“Ende nuk kemi nisur shqyrtimin, presim që të grumbullohen ankesat që vijnë nga Ministria e Kulturës. Vendimi do të merret në bazë të ankesës së paraqitur dhe kritereve të vendosura të konkurrimit, por nuk shpresojmë në vendime pozitive, pasi ne si anëtarë shqiptarë mund të mbivotohemi nga pjesa tjetër”, thotë Lika.
Në Ministrinë e Kulturës ndërkohë ka nisur nënshkrimi i kontratave, që thuajse ka përfunduar për një pjesë të institucioneve lokale dhe qendrore të kulturës. Projektet e pjesës shqiptar dominonin në sektorët të njëjtë ashtu si edhe vite më parë, si botimet, muzika, folklori, arti figurativ dhe skenik.., me dallim që këtë vit numri i aplikimeve ishte më i vogël krahasuar me një vitet e tjera. Konkursi vjetor për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë u nda në dy faza – për institucioneve lokale, komunave dhe shoqatat, individët, e të tjerë dhe u zhvillua në të shtatë sektorë, Botimet, Veprimtaria ndërkombëtare, Mbrojtja e trashëgimisë, Eurointegrimet, Veprimtaria Dramatike, Veprimtaria Muziko-Skenike dhe Folklori, Artet Vizuale, Arkitektura dhe Dizajni. Numri i projekteve të miratuara këtë vit në përgjithësi ishte më i madh, ashtu si edhe buxheti i akorduar, mbi 15 për qind më shumë se vitin e kaluar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.