Dega e PDSH-së në Tetovë mbajti kuvendin e saj dhe për kandidat të komunës së Tetovës për zgjedhjet e 15 tetorit e zgjodhi Bardhyl Dautin, kurse për bartës liste, Adnan Bilallin.
Punimet e kuvendit i ndoqi kryetari i PDSH-së, MenduhThaçi, si dhe struktura partiake e degës. “Beteja e jonë politike për rikthimin e Partisë Demokratike Shqiptare në pushtet në qytetin e Tetovës ka të bëjë në rend të parë me cështjen kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë dhe normalisht se kjo betejë do të jetë e vështirë, shumë e rëndë dhe e mundimshme. Në anën tjetër kjo betejë ka një porosi të drejtpërdrejtë për të gjithë qytetarët e Tetovës: Nuk dalim në këtë betejë për interesa personale, por dalim që ti shpëtojmë qytetarët e Tetovës dhe gjithë pasardhësit tonw nipërat dhe mbesat tona prej baltës, prej papastërtisë, prej ajrit të ndotur, prej mbeturinave që notojnë nëpër qytetin e Tetovës. Unë mendoj se të gjithë tetovarët pajtohen se zgjidhja e vërtetë për këto probleme, zgjidhja e vërtetë për këtë qytet është kandidatura e profesor Bardhylit”, tha Thaçi në fjalimin e tij para kuvendarëve. Ai u apeloi të pranishmive që të kenë një angazhim serioz dhe të besojnë se janë shumë afër të rikthimit të situatës.
“Shumë qytetarë që i kam komunikuar ditët e fundit dhe javët e fundit mezi presin mundësinë për një shpresë të re, që vazhdon të jetë kandidatura e profesor Bardhylit. Në fund, po them një faliminderim që u takon njerëzve të vërtetë që e mbështesin këtë parti. Sigurisht që njerëzit e vërtetë janë ata që nuk hynë nëpër kandidatura, ata që bëjnë kompromise dhe ata si Bardhyli që kur i japim një detyrë tjetër e lëshon njërin post. Po, Bardhyli sigurisht që do t’ju bëj apel edhe konkurrentëve tjerë që kështu të veprojnë edhe pse ata nuk do të veprojnë. Suksese dhe shëndet”, tha lideri i PDSH-së Thaçi në fjalimin e tij.