Bujar KURTAJ
Shkup, 21 janar – Emri i njërit prej futbollistëve me të mirë shqiptar nga Maqedonia, Enis Bardhi, kohën e fundit është përmendur shumë. Pas paraqitjeve të mira në fanellën e Ujpeshtit, ku në gjysmësezonin e parë shënoi tetë gola, dhe paraqitjeve brilante në përfaqësuesen e shpresave të Maqedonisë me të cilën u plasuan në Kampionatin Evropian, ka bërë që shumë ekipe të nisin tentativat për të sjell atë në radhët e tyre. Menaxheri i Bardhit, Meriton Berisha, për gazetën KOHA edhe më herët potencoi se për shërbimet e lojtarit të tij janë të interesuar klube nga Kroacia, Turqia, Zvicra, por edhe nga Koreja, por kryetari i klubit hungarez Roland Duchatelet as që dëshiron të dëgjojë për ndonjë shitje eventuale të Bardhit të paktën deri në verë.
“Presidenti pret që njëherë të përfundojë Kampionati Evropian, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Poloni, dhe pastaj çmimi për Bardhin do të rritet, dhe atëherë me një dëmshpërblim më të madh, me siguri se do të ndryshojë klubin, edhe pse aktualisht ka edhe tre vite e gjysmë kontratë me klubin hungarez”, është deklarata e Berishës dhënë gazetës Koha në muajin dhjetor. Ndryshe, së fundmi interesim për shërbimet e Bardhit shprehi skuadra kroate Osijek, pjesë e së cilës është edhe sulmuesi shkupjan Muzafer Ejupi. Por, sipas burimeve të afërta me klubin hungarez, presidenti e ka refuzuar.
“Ende nuk ka asgjë konkrete sa i përket të ardhmes së Bardhit, edhe pse dihet se kryetari nuk dëshiron të dëgjojë për ndonjë shitje eventuale të tij në janar. Kjo u dëshmua me ofertën e fundit nga skuadra kroate Osijek, e cila arriti në klub. Mirëpo, ajo ofertë u refuzua nga kryetari”, thotë për KOHA, një burim i afërt me klubin hungarez.
Cekim, para disa ditëve e përditshmja sportive “Marca” e rendi Bardhin në mesin e dhjetë golashënuesve më të mirë në botë për moshën 19-23 vjeçe. Ndërkohë, së fundmi UEFA e ka futur shkupjanin në mesin e yjeve të cilët priten të shkëlqejnë në Kampionatin Evropian në Poloni, i cili do të mbahet pas gjashtë muajve. Organizatori i lojës së verdhekuqve është futur në mesin e yjeve si Markus Rashford (Angli, Mançester Junajted), Marko Asensio (Spanjë, Real Madrid), Tomas Ginter (Gjermani, Borusia Dortmund), Zhelson Martins (Portugali, Sporting Llisbon), Marko Berardi (Itali, Sasuolo). “Bardhi shënoi tetë gola për skuadrën e tij Ujpesht në 18 ndeshje të zhvilluara në kampionatin hungarez, edhe pse është lojtar që luan në pozitën e mesfushorit. Ai gjithashtu ka shënuar edhe për Maqedoninë në kualifikueset për plasman në KE”, potencon UEFA në faqen zyrtare të saj.
UEFA: Bardhi, ylli i ardhshëm që do të luaj në Euro 2017!
Së fundmi UEFA e ka futur shkupjanin në mesin e yjeve të cilët priten të shkëlqejnë në Kampionatin Evropian në Poloni, i cili do të mbahet pas gjashtë muajve. Organizatori i lojës së verdhekuqve është futur në mesin e yjeve si Markus Rashford (Angli, Mançester Junajted), Marko Asensio (Spanjë, Real Madrid), Tomas Ginter (Gjermani, Borusia Dortmund), Zhelson Martins (Portugali, Sporting Llisbon), Marko Berardi (Itali, Sasuolo).
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.