Shkup, 22 shtator – Gjesti i Nejmarit në ndeshje ndaj Lionit, ku kërkoi ta ekzekutonte penalltinë para Edison Kavanit, ka bërë bujë. Por, të njëjtën gjë e ka bërë edhe ylli shqiptar i Levantes, Enis Bardhi, në ndeshjen ndaj Real Sosiedadit, e cila u zhvillua të mërkurën në mbrëmje në kuadër të La Ligës. Mesfushori shkupjan ka kërkuar që ta ekzekutojë penalltinë para shokut të skuadrës, Jose Luis Morales, por, përgjegjësinë për ekzekutimin e penalltisë e mori Morales, i cili më pas e dërgoi topin në rrjetë.
Mirëpo, pothuajse një situatë e ngjashme ka ndodhur në minutat e fundit të ndeshjes, por kësaj radhe për atë se kush do të ekzekutojë gjuajtjen e lirë. Fillimisht topin për të ekzekutuar gjuajtjen e lirë e mori Ivi, por publiku filloi të brohorit “Bardhi Bardhi”, që pastaj trajneri Huan Munjiz vendosi se Bardhi duhet të ekzekutojë gjuajtjen e lirë, pasi ky obligimi i tij dhe se ai është mjeshtri i madh për këto gjuajtje. Ajo edhe ndodhi, Bardhi ia ktheu me gol publikut kur ata brohoritën emrin e tij. Një eurogol, i cili qoi në këmbë gjithë stadiumin “Ciutat de Valencia”. Ndërkohë, për shkupjanin Bardhi ky ishte goli i tretë në fanellën e Levantes, i dyti nga gjuajtja e lirë, pasi një eurogol e kishte shënuar edhe ndaj La Korunjës, derisa një gol të mirë nga loja e shënoi edhe në përballjen ndaj Valencias.