Fisnik NUHIU
Shkup, 1 prill – Valencia ishte qyteti i parë spanjoll që u kaplua nga virusi COVID-19, ndërsa masat shtetërore rigoroze ende janë në fuqi në këtë vend. Ekipi i këtij vendi Levante ku luan edhe futbollisti shkupjan Enis Bardhi i la lojtarët në pushim, ndërkaq, në një intervistë të dhënë për faqen e klubit, Bardhi nuk e ka fshehur se po e ka të vështirë të ambientohet në izolim.
“Jeta e të gjithëve ka ndryshuar në këta muaj, por gjëja më e rëndësishme është të fitohet ky virus, të qëndrojmë në shtëpi dhe në fund të dalim fitues. Është e vërtet se koha kalon shumë ngadalë kur je vetëm, por kështu është situata. Kemi një grup të përbashkët në rrjetet sociale me ekipin nga ku marrim trajnime për të qëndruar në formë. Po ashtu kohën e lirë e shfrytëzoj duke shikuar ndeshjet e kaluara, ku më ndihmojnë të shohë gabimet e bëra më parë që të mos i përsërisë në të ardhmen”, theksoi Bardhi.
Bardhi pritet të jetë prej lojtarëve kryesor të Maqedonisë së Veriut në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit ndaj Kosovës. Kjo ndeshje është dashur të luhet më 26 mars në Shkup, por është shtyrë për 4 qershor për shkak të virusit korona. Por me shumë mundësi ndeshja do të shtyhet sërish. Një vendim për këtë pritet të mërkurën.
“Kjo javë është dashur të jetë historike për ekipin tim. Ne është dashur të luajmë ndaj Kosovës, dhe në rast të fitores ndaj saj, me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë. Por tani duhet të kujdesemi për veten. Ndeshja tashmë është shtyrë dhe kështu që na mbetet të përgatitemi maksimalisht dhe të presim”, ka thënë Bardhi.
Bardhi ka treguar se prindërit e tij, sidomos nëna, janë të brengosur për situatën. Nëna e këshillon vazhdimisht që mos të dal nga shtëpia. Ai po ashtu ka treguar se aktualisht po e shikon një serial spanjoll. “Unë këto ditë po lexoj libra dhe po shikoj filma. Po e përcjell një serial edhe pse pak i gjatë, por nuk kemi çka të bëjmë tjetër. Ushtrojmë, shikojmë filma, lexojmë libra dhe flasim me familjet tona. Kështu kalon koha”, përfundoi Bardhi.