Kristiano Ronaldo është një prej golashënuesve më të mëdhenj të futbollit. Ylli i Real Madridit gjithnjë ka qenë efikas para golit duke regjistruar statistika impresive, jo vetëm në Spanjë, por edhe sa luante për Mançester Junajtedin në Angli. Por, këtë sezon Ronaldo nuk e ka filluar mirë me klubin madrilen. Katër herë fituesi i ‘Topit të Artë’ ka shënuar vetëm një gol në pesë paraqitje për Realin në kuadër të La Ligas, duke përfshirë ndeshjen e fundit kundër Eibarit në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ku ‘galaktikët’ fituan 3-0.
Dhjetëra futbollistë të ekipeve spanjolle kanë shënuar më shumë gola se portugezi në nëntë xhirot e para të kampionatit spanjoll. Një ndër ta është edhe shkupjani Enis Bardhi. Mesfushori i Levantes ka shënuar tre gola këtë sezon në La Liga, dy më shumë se sulmuesi i Real Madridit. 22 vjeçari i lindur në Shkup golin e parë në Spanjë e shënoi kundër Deportivo La Korunjas nga gjuajtja e lirë. Goli i dytë i Bardhit për Levanten pati vlerën e një pike, pasi erdhi në barazimin 1-1 me Valencian. Bardhi shënoi gol edhe katër ditë më vonë, në ndeshjen Levante – Sosiedad, që vendasit e fituan 3-0.
Me këta tre gola, Bardhi është golashënuesi më i mirë i Levantes, por këtë pozitë e ndan me sulmuesin Josr Luis Morales, i cili gjithashtu ka numër të njëjtë të golave këtë edicion. Derisa, Levante gjendet në pozitën e 12 në La Liga, me dy fitore, pesë barazime e dy humbje. Kujtojmë, klubi spanjoll e kishte blerë Bardhin këtë verë nga hungarezët e Ujpesht për 1.5 milionë euro dëmshpërblim. Ai përfaqëson Maqedoninë në nivel të përfaqësueseve, ku ka regjistruar 10 paraqitje dhe ka shënuar një gol.
E ndjek Sanderlendi
Enis Bardhi pas paraqitjeve të mira ka nxitur interesimin e skuadrave të Premier Ligës në Angli. Skuadra e Sanderlendit ka shkuar një hap më tej dhe ka dërguar skaut që të monitorojnë lojën e Bardhit, i cili në fundjavë ishte nismëtar i aksionit të shënimit të golit ndaj Getafes. Në tribunat e stadiumit në Valencia, ishte i dërguari special i afërt i trajnerit të Sanderlendit, Simon Grejson. Sipas asaj që arritëm të kuptojmë, skuadra angleze gjatë kohë monitoron mesfushorin shkupjan, të cilin ka filluar të përcjell pas paraqitjeve në Evropianin në Poloni për moshat e reja. Ndërkohë, mediat britanike spekulojnë se Bardhi është nën vëzhgim e PSZH-së, Anderlehtit dhe Interit.