Enis Bardhi ka ‘pushtuar’ mediat në Spanjë, pas super golit që i dha fitoren Levantes në transfertën ndaj Getafe. Mesfushori shqiptar sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, do të jetë kandidat për golin më të mirë të sezonit, duke konkurruar kështu drejtpërdrejtë yllin e Barcelonës, Lionel Messi. Siç shkruan gazeta në fjalë, me golin e shënuar, Bardhi hapi debatin e madh se ‘kush është më i mirë për ekzekutimin e goditjes së lirë’. Sulmuesi argjentinas i katalanasve ka realizuar deri më tani në 8 javë kampionat, gjashtë gola, ndërsa për 23-vjeçarin shqiptar ishte i pari për këtë sezon.
Bardhi erdhi si një lojtar i panjohur në La Liga, më verën e vitit 2017-të, por u kthye në një nga lojtarët më të pikasur te Levante. Për të cilin klubi spanjoll po investon gjatë. Sezonin e kaluar ai ka realizuar nëntë gola në 26 ndeshje të zhvilluara. Në një intervistë të dhënë më parë për median, ai ka deklaruar se nuk kopjon asnjërin prej yjeve të futbollit, Messin apo Ronaldon, por mundohet të ketë stilin e tij. “Unë i shoh të dy shumë, por kurrë nuk jam mundur t’i kopjoj. Kam stilin tim, mënyën time të lojës”- ka thënë 23-vjeçari. Goli i futbollistit të kombëtares maqedonase i dha fitoren Levantes ndaj Getafe në kuadër të javës së tetë të kampionatit. Levante pozicionohet në vendin e 11-të me 10 pikë, aq sa ka Celta Vigo me Eibar.