Enis Badhi dhe Armando Sadiku ndryshojnë trajnerin. Juan Ramon Lopez Muniz nuk është më tekniku i Levantes. Vendimin klubin spanjoll e mori pas barazimit në shtëpi 1-1 kundër Espanyol. Në fakt Munizit i ishte vendosur një ultimatum nga ana e drejtuesve para disa javësh. Gjithsesi duket se ndeshja me Espanyol sosi durimin e shoqërisë që pas takimit u mblodh menjëherë duke marrë vendimin. Levante shpërdoroi fitoren, pasi kryesoi përgjatë 90 minutave para se Leo Baptistao të barazonte shifrat në minutë 91.
Levante përmes postimit në faqen zyrtare falënderoi trajnerin dhe ekipin e tij për punën e bërë gjatë kësaj kohe, ndërsa nuk vonoi as të njoftonte se kush është pasuesi i tij. Bëhet fjalë për trajnerin e ekipit të të rinjve, Paco Lopez, i cili do të qëndrojë në krye të skuadrës deri në fund të këtij sezoni. Për momentin ekipi renditet në vendin 17 në La Liga, me 21 pikë, dhe është një nga skuadrat e rrezikuara për të rënë nga kategoria.