Shkup, 17 janar – Ashtu siç ishte paralajmëruar, skuadra e FC Shkupi sot në orët e mëngjesit ka udhëtuar për në qendrën turistike Antali, e që në këtë sezon shfrytëzohet nga shumë skuadra botërore për të zhvilluar fazën përgatitore. Bardhekaltërit përveç punës në terrenet e përshtatshme për stërvitje, pritet të zhvillojnë edhe së paku pesë ndeshje kontrolluese, bën të ditur faqja zyrtare e FC Shkupi, transmeton gazeta KOHA.
Ndryshe, ndeshjen e parë kontrolluese trajneri Umit Karan e ka paraparë ta zhvillojë me 20 janar, ndërsa për kundërshtarë është skuadra e superligës iraniane Sepahan, kampionin e pesëfishte dhe katër herë fituesin e Kupës.
Ndeshjen e dytë bardhekaltërit do ta luajnë më 23 janar, ndërsa për kundërshtarë është ekipi CSMS Politehna Lasi nga Rumania, derisa ndeshjen e tretë do ta luajnë kundër skuadrës hungareze MTK më 26 janar.
Ndërkohë, nga klubi njoftojnë se data e 29 janarit është e hapur dhe sipas nevojës së trajnerit, do të mësohet edhe nëse do të zhvillohet ndeshje kontrolluese, ndërsa një ditë para se të niset ekspedita për në Shkup, 02 shkurt, është planifikuar kontrolluese me ekipin FK Sarajeva nga Bosnja e Hercegovina.
Ekspedita që ka udhëtuar për në Antali numëron 29 veta, ndërsa kthimi i skuadrës për në Shkup është planifikuar me 3 shkurt.