Barcelona zyrtarizon ish-lojtarin e Interit (VIDEO)

8

Barcelona ka nënshkruar një kontratë me Jeison Murillo deri në fundin e këtij sezoni. Huazimi i qendërmbrojtësit kolumbian nga Valencia do t’i kushtojë katalanasve 2 milionë euro dhe ata do të kenë të drejtën ta blejnë përfundimisht lojtarin për 25 milionë euro në fund të sezonit.

Trajneri Marcelino nuk e konsideronte më një zgjedhje të parë Murillo-n dhe Barcelona ka vendosur të përfitojë nga kjo situatë për të gjetur një zëvendësues pas dëmtimit të Samuel Umtiti. Murillo u transferua te Valencia nga Inter në verën e 2017-ës me formulën e huazimit me detyrim blerje për 13 milionë euro në fund të sezonit. Pavarësisht se ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë të ekipit pas transferimit në La Liga, një dëmtim e ka lënë jashtë për 3 muaj.

Që nga ajo kohë, Murillo ka luajtur vetëm 3 ndeshje në këtë sezon (kundër Juventus-it, Celta-s dhe Ebro-s), me Garay, Paulista dhe Diakhaby që kanë qenë para tij në hierarkinë e trajnerit Marcelino.

Ndryshe, mbrojtësi kolumbian thotë se transferimi është një ëndërr e bërë realitet për të.

“Sot kam realizuar një ëndërr,” shprehet ai për transferimin. “Kam ardhur me qëllim për të ndihmuar skuadrën në çdo mënyrë të mundshme dhe do të mundohem ta shijoj. Shpresoj që të shkojë mirë.”

Kur pyete se çfarë karakteristikash ka si lojtar, ai përmend disa atribute. “Jam i shpejtë dhe inteligjent. Di të luaj mirë me topin në këmbë dhe jam një luftëtar.”

26-vjeçari do të jetë me klubin deri në fund të sezonit.