Klubi është i qetë. Trajneri Valverde, po ashtu. Nuk ka vend për ankth te tifozët e Barcelonës. Ndoshta lajmi nuk është i mirë për Real Madridin. Të flasësh për gjendjen shëndetësore të Leo Messit, me gjithë respektin në botë për pjesën tjetër të njerëzve, që i janë përkushtuar futbollit, është diçka e veçantë, e justifikueshme.
Siç thotë Jorge Valdano, ngjyrat e të cilit në rang klubi janë krejtësisht të kundërta, “askush nuk ha në të njëjtën tavolinë me Messin”. Dhe sigurisht, alarmi ngrihet maksimal, kur ylli argjentinas pëson një goditje në muskujt e kofshës, siç ndodhi të shtunën e kaluar kundër Valencias.
Sot, në “paradhomën” e klasikes Barcelona-Real Madrid, të gjithë janë duke kërkuar përgjigjen e një pyetjeje: A do të luajë Leo Messi të mërkurën kundër Real Madridit, në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Kupës së Mbretit? Përgjigjia: Ju do ta shihni! Merreni këtë përgjigje, nëse dëshironi, si një pozicion psikologjik, ose një “mashtrim taktik” në prag të “El Clasico”.
Katalanasit mund të jenë të interesuar që ta mbajnë mister situatën e lojtarit më të mirë të të gjitha kohërave dhe praninë e tij në supersfidën e së mërkurës. Dhe kanë të drejtë, sepse po flasim për një nga pak lojtarët, që i vetëm ka aftësinë për të ndryshuar rrjedhën e një ndeshjeje.
Megjithatë, në klubin katalanas, në dhomat e zhveshjes së Barcelonës, nuk ka nerva të tendosura. Askush nuk është duke “ngrënë thonjtë” e tij. Po, është parimi i kujdesit. Që nga e shtuna e kaluar, kur pësoi goditje në pjesën e dytë të ndeshjes kundër Valencias (të cilën mundi ta përfundonte, çka ishte një shenjë optimizmi), klubi blaugrana ka rrezatuar qetësi.
Kjo nuk i pengon të gjithë, që të kenë kujdes maksimal për këtë lloj lëndimi. Nëse ishte një goditje, apo dëmtim, këtë nuk mund ta themi, sepse, siç e dini, Barcelona nuk ka lëshuar ndonjë raport zyrtar mjekësor, sikur bëri në rastin e dëmtimit të krahut nga Leo Messi.
Edhe pse është e vërtetë që sensi i përbashkët këshillon të mos marrë rrezikun më të vogël përsipër, në fund të fundit, ai që do të vendosë nëse do të luajë ndaj Real Madridit nesër do të jetë vetë Messi. Leo ka një dëshirë të çmendur për të luajtur në “El Clasico”. Së pari, sepse ai e do futbollin. Së dyti, për shkak se klasikja e raundit të parë të La Liga-s ishte e fituar thellë 5-1.
Ylli argjentinas u trajnua dje gjatë ditës, por veçmas grupit. Fizioterapia do të vazhdojë edhe sot. “Termometri” i gjendjes fizike mund të kontrollohet sot, kur të shohim nëse Leo Messi merr pjesë, ose jo në trajnim. Valverde nuk do të jetë shumë i trysnuar për të, sepse konferenca e tij për shtyp do të jetë përpara trajnimit (në orën 18.00).
Pastaj do të japë listën e të grumbulluarve. Është shumë e mundshme, që Leo Messi të jetë në të. Të paktën kështu ka njoftuar sot, që në faqen e saj të parë, katalanasja “Sport”. Do të ishte një lajm i mrekullueshëm për katalanasit, por edhe adhuruesit e futbollit të bukur e plot spektakël. Barça dhe Leo duan ta fitojnë Kupën e Mbretit. Mposhtja e Real Madridit është çelësi për këtë. Sidoqoftë, pa marrë rreziqe të panevojshme…