Ivan Rakitic do të jetë i larguari i parë nga Barcelona në fund të këtij sezoni. Mesfushori kroat pranoi në një intervistë se në fund të këtij kampionati do të diskutojë me drejtuesit për të ardhmen e tij.
Mediet në Spanjë kanë zbuluar se kroati kërkoi më herët të rinovojë kontratën me përmirësim të pagës së tij. Kjo gjë është refuzuar nga klubi, që mesa duket është penduar që refuzoi ofertën prej 90 milionë euro nga PSG në verën e shkuar.
Gazeta katalanase “Sport” ka bërë me dije se 31-vjeçari do të largohet sepse edhe në fund të sezonit nuk do t’i ofrohet rinovimi i kontratës, që i skadon në qershor të vitit 2021, atëherë kur të jetë 33 vjeç dhe do e ketë të vështirë të gjejë ekip të ri.
Afrimi i Frenkie de Jong e ka detyruar Barçën që ta nxjerrë në shitje mesfushorin e tyre.
Ka disa klube nga Anglia që kanë shfaqur interes për të, mirëpo Inter ka bërë gjithçka që të marrë Rakitic në Milano dhe Barcelona duket më afër idesë për ta dërguar në Itali lojtarin edhe për faktin se Inter është gati të ofrojë deri në 60 milionë euro, po ashtu për kroatin parashikohet një pagë deri në 10 milionë euro.