Merkatoja e verës ka thuajse një muaj që është mbyllur, por klubet e mëdha të futbollit që tani kanë nisur planet për transferimet e ardhshme. Kështu, Barcelona po ndjek nga afër një lojtar të Bajernit, i transferuar në qershor në “Allianz Arena”. Po flasim për qendërmbrojtësin Niklas Shule. Vetëm 22 vjeç, shtatlarti gjerman është një nga lojtarët më premtues të kombëtares kampione bote dhe ka tërhequr menjëherë edhe vëmendjen e disa klubeve angleze. Sipas gazetës spanjolle “El Mundo Deportivo”.
Barcelona po kërkon një mbrojtës të ri klasi dhe, bashkë me ish-lojtarin e Hofenhaimit, në listë ka edhe 18-vjeçarët Mattjis de Ligt (Ajaks) dhe Dajot Upamecano (RB Laipzig). Më i mundshmi për t’u transferuar, në fakt, duket ky i fundit. Ish-trajneri i Barcelonës B, Oskar Garsia Junjent, ka punuar më parë me francezin te Red Bull Salzburg dhe e njeh mirë atë. Bazuar te teknika, shpejtësia dhe mënyra se si djaloshi nis aksionet, ai e ka sugjeruar te Barça, sepse parashikon se do t’i përshtatet shpejt stilit katalanas të lojës. Gjithsesi, në Laipzig nuk bëjnë lëshime. Upamecano raportohet se ka një klauzolë largimi prej 100 milionë eurosh, plus që ka edhe katër vite kontratë, po aq sa Shle te Bajerni. Çfarë do të ndodhë? Askush nuk e di, por vera vjen shpejt.