Barcelona do të nisë tentativën e saj të fundit për të rrëmbyer Philippe Coutinho nga Liverpool, duke nisur nga java e ardhshme teksa synojnë një transferim në merkaton e janarit për mesfushorin e Anfield. Kontrata e Coutinhos u zgjat sezonin e kaluar dhe skadon në vitin 2022. Gazeta spanjolle “Mundo Deportivo” ka raportuar se drejtuesit e Barças do të takohen me agjentët e futbollistit brazilian gjatë javës së ardhshme. Ekipi i Ernesto Valverde ishte shumë i vendosur që të siguronte firmën e brazilianit gjatë merkatos së verës, por marrëveshja mes klubit katalanas dhe Coutinhos u sfumua nga Liverpool, me trajnerin gjerman Jurgen Klopp që insistoi të mos shiste lojtarin kryesor të të “Kuqëve”.
“Nuk ka asnjë kufi parash për ta larguar, dhe as një çmim për të cilin ne do të ishim të gatshëm ta shisnim”, pat deklaruar Klopp gjatë verës. Braziliani 25-vjeçar është rivendosur si titullar i padiskutueshëm dhe regjizor i ofensivës së Liverpool, që pas sagës së transferimit të verës, madje duke shënuar dy gola në katër ndeshjet e tij të para në Premier League këtë sezon, duke shënuar gjithashtu një gol në fitoren 7-0 që të kuqtë regjistruan ndaj Maribor në Champions League. Pavarësisht kësaj, duket se Coutinho është shumë pranë një transferimi në “Nou Camp” në merkaton e janarit.