Ashtu si raporton “Le10Sport”, gjigantët e La Liga, Barcelona, janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes me sulmuesin e Atletiko Madridin, Antoni Grizman, prej kohësh objektiv i Mançester Junajtedit në merkato. “Telenovela”, për të ardhmen e sulmuesit francez, ka nisur që në verën e kaluar, kur Hoze Murinjo e etiketoi si përforcimi i duhur për “djajtë”, por marrëveshja nuk u arrit sepse “embargo” që FIFA i vuri Atletiko Madridit në merkato i detyroi spanjollët të “blindonin” 26 vjeçarin. Në janar, kur Atletiko federoi dy sulmues të rinj Diego Kosta dhe Vietto, Grizman ka nisur të mendojë për të ardhmen larg “Wanda Metropolitano”.
Junajtedi nuk ka hequr dorë dhe do të paraqesë një tjetër ofertë për futbollistin, sapo të nis viti i ri kalendarik, por sipas “Le10Sport”, britanikët kanë humbur terren në garën për Grizman, sepse futbollisti do të pranonte me kënaqësi më të madhe të qëndronte në La Liga, aq më tepër me Barcelonën. Klubi katalanas do të nis së shpejti kontaktet me futbollistin, që do të kompletonte “tredhëmbëshin” me Messi dhe Suarez, por mbetet për t’u parë vendimi i Atletikos. Klubi i Simeones do të ishte “pro” kalimit të lojtarit në Premier Ligë, në vend të që shkonte te rivalët e drejtpërdrejtë në Spanjë. Në këto kushte, “telenovela” do të mbyllet vetëm verën e ardhshme.