Barcelona ka shpenzuar pa fund për të blerë lojtarë si Dembele e Coutinho, por nuk ka gjetur ende një lojtar të aftë të bëjë të harrohet Neymar dhe të kompletojë sulmin, ku Messi e Suarez mbajnë një peshë shumë të madhe. Për këtë arsye, klubi blaugrana kërkon talente të rinj, për t’i rritur vetë dhe për t’i blerë sa nuk ka shkuar ende vlera në qiell, pak a shumë si bëri Reali i Madridit me Vinicius e Rodrygo, të paguar 45 milionë euro secili. Barça ka piketuar një mesfushor ofensiv të Corinthians-it, Pedrinho, i cili që në moshën 20-vjeçare është bërë një ndër yjet e Serisë A braziliane, duke luajtur mbi 50 ndeshje me klubin e njohur brazilian. Goal.com raporton se Barça ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e lojtarit dhe është në avantazh të theksuar ndaj klubeve si Shakhtar Donetsk e Porto, ndërsa me 25 milionë euro mund të kompletohet transferimi.