Skuadra e Barcelonës është e interesuar në shërbimet e qendërmbrojtësit të Juventusit, Matthijs De Ligt, kanë njoftuar të mërkurën mediumet spanjolle.
Mësohet se drejtuesit e Barcelonës po e shohin holandezin si përforcim të madh për repartin e mbrojtjes dhe janë të gatshëm t’i bëjnë ofertë Juventusit për ta bindur në lirimin e tij.
Megjithatë, oferta duhet të jetë e majme për shkak se De Ligt konsiderohet i pashitshëm nga ekipi italian. 21-vjeçari ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2024 kurse këtë sezon ka një gol e një asistim në 30 paraqitje në të gjitha garat.
Kartoni i tij, vlerësohet mbi 80 milionë euro. De Ligt ka edhe 26 paraqitje me Përfaqësuesen e Holandës kurse Juventusit iu bashkua në vitin 2019 nga Ajaxi për 85 milionë euro.