Para pak ditëve Frenki De Jong u prezantua si futbollisti më i ri i Barcelonës. Mesfushori u transferua nga Ajaksi për shumën e 75 milionë eurove, teksa operacioni ishte konkretizuar prej merkatos së janarit. Holandezi shkëlqeu me performancat në sezonin e kaluar me Ajaksin. Për De Jong ishin të interesuara disa klube, por në fund vetë 22-vjeçari zgjodhi Barcelonën, duke qenë se stili i lojës së tij është i ngjashëm me atë të blaugranave.
Ndërkohë, para prezantimit është zbuluar edhe një prapaskenë në lidhje me numrin të cilin do të mbajë në shpinë De Jong. Mesfushori, gjatë kohës te ‘Harkëtarët’ ka preferuar numrin 21, teksa këtë numër e ka kërkuar edhe te Barcelona. Klubi katalanas i kishte ofruar fanellën me numër 14. Duke ditur se ajo është speciale për klubin nga Katalonja pasi është veshur nga një legjendë si holandezi Krojf.
Megjithatë, pavarësisht se numri 14 është mbajtur nga një patriot dhe lojtar i madh, De Jong e ka refuzuar për të evituar krahasimet dhe për të mos shtuar edhe më shumë presionin mbi veten. Por, krahasimet janë të paevitueshme, dhe De Jong duhet t’i justifikojë me paraqitjet në ‘Camp Nou’.