Barcelona ka hedhur sytë në Premier League për të zgjidhur problemin në krahun e majtë të mbrojtjes dhe në radarët e spanjollëve janë pikërisht Nacho Monreal i Arsenal dhe Alberto Moreno i Liverpool, sipas Mundo Deportivo. Kampionët e La Liga-s nuk kanë alternativa pas shitjes së Lucas Digne për 20 mln euro këtë verë, dhe i vetmi mbrojtës i majtë me eksperiencë në ekip aktualisht është Jordi Alba.
Ernesto Valverde është në nevojë kështu që po vëzhgon dy spanjollët që luajnë në Premier League, të cilëve u skadon kontrata në fund të sezonit. Me Kolasinac të dëmtuar për të paktën një muaj tjetër, Monreal e ka të sigurt vendin e titullarit nën drejtimin e Unai Emery. Ndërkohë situata e Moreno-s është ndryshe. Për të dytin sezon ai e gjen veten si zëvendësuesin e Robertson në krahun e majtë të Liverpool, dhe thuhet se do ta mirëpriste me kënaqësi një kontratë të Barça-s. Një tjetër opsion interesant për katalanasit është edhe Filipe Luis i Atletico Madrid, i cili e ka humbur vendin e titullarit kohët e fundit teksa Simeone preferon Hernandez.