Barcelona është klubi më i fundit që ka shprehur interesim për mbrojtësin e Napolit, Kalidou Kulibali. Çellsi, Arsenali, Mançester Siti dhe Liverpuli janë klubet angleze në konkurrencë për shërbimet e futbollistit nga Senegali. Mirëpo, nuk mungon edhe interesimi nga klubet e Serie A, në mesin e të cilëve është edhe kampioni Juventus. 26-vjeçari vlerësohet rreth 60 milionë euro falë performancave shumë të mira për disa sezone në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve. Sipas “Il Mattino” dhe “Fichajes.net”, Barcelona është duke e përgatitur një ofertë që do t’ia bëjë klubit italian gjatë verës. Sidoqoftë, Blaugranët do ta kenë të vështirë ta transferojnë futbollistin defensivë, duke qenë se Napoli nuk e ka në plan ta shesë. Trajneri Maurizio Sarri e dëshiron futbollistin në skuadër, kurse presidenti Aurelio De Laurentiis tashmë i ka refuzuar ofertat e Çellsit dhe Sitit. Kulibali është pjesë e Napolit nga viti 2014 kur u transferua nga Genku për një shumë rreth shtatë milionë euro.