Lautaro Martinez është kthyer në një obsesion për Barcelonën. Argjentinasi vazhdon edhe në këtë sezon të tregojë aftësitë e tij brenda zonës. Pikërisht, ajo çka i mungon katalanasve duke qenë se Suarez nuk ofron të njëjtën garanci si të disa viteve më parë. Ndërkohë, një tjetër shtysë për të firmosur me beniamin e Interit është edhe fakti se Lautaro ka bekimin e Leo Mesit.
Kapiteni i blaugranave ka theksuar disa herë preferencën e tij për 22-vjeçarin e zikaltërve. Kështu, për ta transferuar në verë, Barcelona është e gatshme t’i japë disa opsione Interit. Italianët tashmë e vlerësojnë Lautaron 150 milionë euro dhe në këtë formë pranojnë një shkëmbim me Grizman. Barelona nuk e ka problem ta shkëmbejë francezin duke qenë se marrëdhënia e tij me Mesin nuk ka arritur për asnjë moment të shndërrohet në miqësi.
Ndërkaq, për të bindur plotësisht Interin, katalanasit kanë edhe një sërë lojtarësh që mund t’i interesojnë Antonio Kontes. Tashmë, dihet fiksimi i Kontes për Vidal. Por, për Martinez te Barcelona ofrojnë edhe njërin mes Alenja, Todibo apo edhe Artur.