Interi dhe Antonio Conte nuk heqin dorë nga tentativa për të afruar që në janar në Milano kilianin Arturo Vidal. Mesfushori 32-vjeçar është emri i kërkuar për të përforcuar repartin e ndërmjetëm të zikaltërve dhe për të sulmuar me të gjitha forcat titullin kampion në Itali, që prej tetë sezonesh fitohet nga vetëm një skuadër, Juventusi.
Sigurisht që Barcelona nuk do të dorëzohet lehtë për një futbollist që, pavarësisht moshës, ruan ekuilibrat e lojës sa herë Valverde ka nevojë për të. Conte e do futbollistin që në fillim të janarit por diferenca mes ofertës dhe kërkesës është plot 8 milionë euro. Drejtuesit e Interit janë gati të shpenzojnë 12 milionë, por “blaugranat” nuk duan ta lëshojnë pa 20 milionë euro. Menaxher i Arturo Vidalit, Felicevich, i njëjti që ka bërë të mundur transferimin e Alexis Sanchez në Milano, po punon për t’i afruar palët.