Barça me dhimbje koke, lojtarët vijnë të “fashuar” nga kombëtaret

Ndalesa e kampionateve për t’u lënë vend ndeshjeve të kombëtareve është ndonjëherë pozitive për skuadrat që nuk po kalojnë një moment të mirë dhe kanë nevojë për kohë që të rigjenerojnë idetë e tyre dhe të punojnë për të larguar krizën. Është e rëndësishme edhe për të rikuperuar disa futbollistë në rast se ata janë të dëmtuar.

Barcelona nuk e nisi aspak mirë kampionatin spanjoll dhe kishte nevojë për pushim, në mënyrë që Valverde ta qetësonte disi kampin e tij edhe pas lajmeve të shumta që qarkulluan për rikthimin e Nejmarit. Në fakt, gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhet, sepse për momentin kemi dy lojtarët e parë të dëmtuar nga kombëtaret e tyre dhe bëjnë akoma me dhimbje koke trajnerin spanjoll. Nelson Semedo dhe Samuel Umtiti kanë pasur shqetësime fizike dhe janë në pritje të ekzaminimeve për të kuptuar shkallën e tyre.

UMTITI

Mbrojtësi i Francës nuk u aktivizua asnjë minutë në sfidën ku kampionët e botës mundën 4- 1 Shqipërinë, por ka braktisur grumbullimin për shkak të një goditjeje që ka marrë në këmbën e djathtë në stërvitje. Ai nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Deshamp për sfidën e ardhshme kundër Andorrës dhe u kthye në Barcelonë për të mësuar shkallën e dëmtimit dhe për t’u riaftësuar. Kujtojmë se francezi humbi thuajse gjysmën e sezonit të kaluar për shkak të problemeve në gju, të cilat e shndërruan në një lojtar stoli.

SEMEDO

E njëjta situatë edhe me mbrojtësin portugez, i cili pas një përplasjeje me Kolarovin, ndjeu dhimbje të forta dhe braktisi fushën e lojës. Paraprakisht u mendua një dëmtim i rëndë, nisur nga veprimet që bënte mbrojtësi i Barcelonës, por alarmi ra pak orë më vonë. Megjithatë, nuk dihet ende se sa do të mungojë dhe nëse do të jetë gati për sfidën e ardhshme në kampionat kundër Valencias. Semedo në këtë sezon është titullar dhe kjo ka bërë që trajneri Valverde ta konsiderojë Serxhi Roberton si mesfushor.