Barcelona do të duhet të shesë tre futbollistë, të tre mesfushorë, për të liruar hapësirën dhe për të gjetur fondet për blerjen e Filip Kutinjo në janar, sipas asaj që bën të ditur shtypi spanjoll. Braziliani është objektivi i deklaruar i katalanasve në merkato dhe lëvizjet do të nisin pas gjashtë javësh, kur të hapet merkato e janarit. Krahas Kutinjo, ekipi “blaugrana” është shumë pranë blerjes së adoleshentit Mathijs De Ligt nga Ajaks, por sipas “El Mundo Deportivo” duhet të ndodhin tre largime përpara se këta futbollistë të vihen në dispozicion të trajnerit Valverde.
Rafinja, Denis Suarez dhe Arda Turan janë tre lojtarët me “valixhet” gati. Rafinja, e ka humbur vendin te kombëtarja e Brazilit, pikërisht nisur nga fakti që nuk ka luajtur shpesh me Barcelonën dhe kësisoj ai do ta mirëpriste largimin në janar, pikërisht për të mbajtur gjallë shpresën për të qenë pjesë e “Selsesao”. Barça ka marrë disa oferta për të, por dëshiron ta shesë përfundimisht. Ndërkohë, më e vështirë është situata e Denis Suarez, i cili pasi refuzoi Napolin në sezonin e kaluar dëshiron të qëndrojë në “Camo Nou”. I treti, Arda Turan, që nuk ka luajtur asnjëherë në këtë sezon është shumë pranë Gallatasarajit, teksa edhe Arsenali është interesuar për të.