Barça dhe Juvja në bisedime, projektohet shkëmbim sulmuesish

41

Barcelona përshëndet edhe Luis Suarezin, por ndërkohë sulmi nis të qajë dhe nevoja për një futbollist me eksperiencë, që të mund të frymëzojë edhe repartin ofensiv nevojitet. Prandaj, pasi e kishin hapur këtë temë gjatë periudhës që punuan për shkëmbimin Pjaniç-Artur, katalanasit janë rikthyer sërish në bisedime me kampionët e Italisë, por këtë herë duke kërkuar Duglas Kostën. Fakti që trajneri Ronald Kuman nuk bindet aspak nga Osman Dembele, u ka kërkuar drejtuesve të klubit, nëse mund ta arrijnë te Duglas Kosta i Juventusit. Sipas holandezit, braziliani i “Zonjës së Vjetër” ka shpejtësi, është i pakapshëm në driblim dhe mbi të gjitha di të krosojë dhe Barcelona aprovon këtë zgjedhje. Vetëm fakti se paratë e shumta mungojnë, ideja që u ka lindur spanjollëve është ajo e një shkëmbimi kokë më kokë, fillimisht në formën e huazimit, por me të drejtë blerjeje në verën e ardhshme. Pista “Kosta-Dembele” është hapur që nga dita e djeshme, ndonëse Barça nuk ka harruar as dy sulmuesit e tjerë, që ka pasur prej kohësh në shënjestër.

Memfis Depaj – Holandezi i Lionit dukej shumë i thjeshtë për t’u arritur, jo vetëm për shifrën prej jo më shumë se 30 milionë eurosh, por edhe për faktin se mes Depajit e Kumanit lidhja ka qenë shumë e fortë në kombëtaren e “Tulipanëve”. Por, nëse Lioni nga ana e tij uli pretendimet nga 40 në 30 milionë, Barcelona e teproi duke ndryshuar ofertën e saj nga huazim me detyrim blerjeje, mbi një bazë prezencash të lojtarit. Dhe pikërisht këtu frenoi tratativa, ndonëse katalanasit i kanë dhënë një ultimatum Depajit ditën e djeshme, që të punojë me krerët e Lionit, për të provuar të shkëputet në huazim.

Lautaro Martinez – Emri tjetër për sulmin është ai i interistit. Lautaro Martinez ndoshta do të ishte edhe lojtari që do të mund të ngrinte disi moralin e Lionel Mesit, pas sherrit me Bartomeun, por edhe pas largimit të Luis Suarezit. Edhe në rastin e Lautaros, Barça ka rihapur bisedimet me drejtuesit e Interit, duke pranuar që të paguajë 100 milionë euro, por kjo shumë të ndahet në një huazim prej 10-15 milionë eurosh, me detyrim blerje në 2021-shin. Gjithsesi, një përgjigje për këtë mundësi Barcelona e pretendon nga Interi brenda 30 shtatorit, ndryshe klubi spanjoll do të heqë përfundimisht dorë nga shërbimet e argjentinasit të zikaltërve. Shkurt, katalanasit kanë nisur një sprint final për të gjetur një sulmues sa më shpejt, deri në fundin e kësaj merkatoje.

 

Comments are closed.