Shkup, 15 shkurt – Klinika universitare për neurologji, me mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor, do ta rrisë arritshmërinë e ilaçit “Ocrevus” për më shumë se 40 pacientë, të cilët vuajnë nga skleroza multiple. Këtë sot e tha drejtori i Klinikës për Neurologji, Ivan Barbov, në takimin rajonal të neurologëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Kosova, që u mbajt në organizim të Klinikës Universitare për Neurologji.
“Përveç ndarjes së përvojës tonë të deritanishme me ilaçin “Ocrevus”, si një nga shtetet e para në rajon e cila e përdor ilaçin në praktikë të rregullt klinike, këtë vit do të marrim buxhet të kushtëzuar plotësues për rritje të arritshmërisë së ilaçit. Vitin e kaluar kemi pasur nëntë pacientë me këtë terapi, ndërsa këtë vit planifikojmë numri i pacientëve të arrijë më shumë se 40″, potencoi Barbov.
Mjekët nga Kosova e kanë vizituar Qendrën për trajtim intravenoz të sklerozës multiple në Klinikën për Neorologji, ku pacientët e pranojnë terapinë intravenoze.
Qëllimi i takimit është vendosja e inovacioneve, përparimi i praktikës klinike dhe përmirësimi i cilësisë së jetës të personave me sëmundje neurologjike, mes të cilëve është edhe skleroza multiple, si dhe këmbimi i njohurive dhe përvojave.
“Më gëzon ajo që jam dëshmitar i një përparimi të madh në mbrojtjen shëndetësore të pacientëve me sklerozë multiple në Maqedoni nga aspekti i arritshmërisë së terapisë dhe përkushtimit të vazhdueshëm të kolegëve tanë nga Shkupi drejt përparimit të mbrojtjes shëndetësore të pacientëve të cilët vuajnë nga sëmundjet neurologjike, siç është edhe skleroza multiple”, potencoi neurologu nga Prishtina, Blerim Muftiu. (koha.mk)