Nuk ka patur fitues në ndeshjen e madhe të luajtur në “Old Trafford” mes Liverpool dhe Manchester United. Takimi mes dy gjigantëve të Premier League është mbyllur në barazim pa gola.
Ky rezultat i ka shërbyer më shumë skuadrës së Klopp, që ka rimarrë kryesimin e kampionatit, edhe pse avantazhi ndaj Manchester City-t të vendit të dytë është vetëm një pikë. United, nga ana tjetër, ka zbritur në vendin e pestë.
Tifozët e United kanë festuar në minutën e 75-të për një autogol të Joel Matip, por që është anuluar nga artbitri për një pozicion jashtë loje të Luke Shaw.
Klopp nuk ka qenë i kënaqur me barazimin dhe në minutën e 72-të ka aktivizuar Xherdan Shaqiri-n, mesfushor sulmues, në vend të Jordan Henderson, mesfushor mbrojtës, me këtë të fundit që nuk ka qenë i kënaqur me lëvizjen dhe ka debatuar me trajnerin pasi ka dalë nga fusha.
Kjo do të mbahet mend si sfida e dëmtimeve, me katër zëvendësime të detyruara të bëra në pjesën e parë, 3 për United dhe 1 për Liverpool. Ndeshja e fundit e Premier League që ka patur katër zëvendësime në pjesën e parë është luajtur në shkurtin e 2009-ës (Wigan-Fulham).
Barazimi i regjistruar në “Old Trafford” ka favorizuar Arsenal-in, me “Topçinjtë” që kanë parakaluar Manchester United dhe janë ngjitur në vendin e katërt të renditjes pas fitores 2-0 të marrë në shtëpi kundër Southampton.
Një fitore e arritur pa ndihmën e Aubameyang, i cili e ka nisur ndeshjen nga stoli dhe ka luajtur vetëm në 15 minutat e fundit. Të dy golat e ndeshjes janë shënuar në pjesën e parë dhe janë realizuar nga Lacazette (6′) dhe Mkhitaryan (17′).
Sulmuesi francez është bërë lojtari i parë i Arsenal që shënon në katër ndeshje radhazi të kampionatit që nga Robin van Persie në marsin e 2012-ës (pesë ndeshje).