Chelsea dhe Roma kanë barazuar 3 me 3 në xhiron e tretë të Grupit C në Ligën e Kampionëve. David Luiz dhe Eden Hazard realizuan dy golat e parë për Chelsean, para se Kolarov të ngushtonte rezultatin në pjesën e parë. Edin Xheko me dy gola në pjesën e dytë kaloi romakët në epërsi, ndërsa 15 minuta para fundit Hazard me golin e dytë personal barazoi gjithçka në ndeshje. Në Grupin C, prin Chelsea me shtatë pikë, Roma është e dyta me pesë, ndërsa Atletico e treta me dy pikë. Qarabag është i fundit me një pikë.
Taulant Xhaka ka qenë njeriu i ndeshjes për zviceranët e Bazelit mbrëmjen e sotme në Moskë duke shënuar një super gol kundër CSKA-së dhe asist për golin e dytë. Mesfushori kuqezi ka shënuar një supergol në transfertë kundër CSKA së Moskës. Xhaka i dha avantazhin skuadrës së tij, në minutën e 29-të, me një gol të mrekullueshëm, të shënuar me goditje nga distanca. Fraksioni i dytë i ndeshjes foli më tepër për vendasit, por goli i mesfushorit kuqezi padyshim që i vuri në një pozicion mjaft komod miqtë që herë pas here guxonin me kundërsulme dhe u dëmshpërblyen në të 90-tën, kur Oberlin, i cili zëvendësoi në 61-tën shqiptarin tjetër të Bazelit Albian Ajetin, shfrytëzoi mjaft mirë një asist të Taulant Xhakas për të mbyllur kështu ndeshjen me rezultatin 0-2. Kjo ka qenë edhe ndeshja e parë Albian Ajetit, sulmuesi 20-vjeçar, vëllai më i vogël i mbrojtësit kuqezi, Arlind Ajeti.
Skuadra e Barcelonës ka shënuar edhe fitoren e tretë në Grupin D, duke mposhtur në Camp Nou Olympiacosin me rezultat 3:1. Golat për Barcelonën i shënuan Nikolaou (autogol), Messi dhe Digne, ndërsa për mysafirët shënoi Nikolaou.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Juventus ka shënuar fitore të vështirë prej 2:1 ndaj Sportingut, me golat e Pjanic dhe Mandzukic, ndërsa për mysafirët shënoi Alex Sandro (autogol). Pas këtyre dy ndeshjeve Barcelona mban vendin e parë me 9 pikë, ndërsa Juventus vendin e dytë me 6 pikë.
Bayern Munich ka shënuar fitore të thellë prej 3:0 ndaj Celticut në Allianz Arena, në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Golat për Bayernin në këtë takim i shënuan Muller, Kimmich dhe Hummels.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi PSG ka fituar 0:4 ndaj Anderlechtit me golat e Mbappe, Cavani, Neymar dhe Di Maria. Pas këtyre ndeshjeve, PSG mban vendin e parë me 9 pikë, ndërsa Bayern në vendin e dytë më 6 pikë.