Shkup 15 shtator – Protestë kundër paraleles shqipe në Idrizovë, konkretisht në shkollën fillore “Njegosh” është paralajmëruar për ditën e nesërme, e hënë, ndërsa ftesa për bojkot të mësimit në paralelet në maqedonisht i është shpërndarë prindërve të nxënësve maqedonas, raporton TV21, përcjell gazeta KOHA.
“Për shkak vendimit për hapjen e paraleles shqipe për klasat e gjashta, ju ftojmë se nesër do të mbahet tubim qytetar. Protesta duhet të jetë sa më masive, ndërsa fëmijët nuk do të zhvillojnë mësim”, thuhet në ftesën anonime që i drejtohet prindërve maqedonas.
Ndryshe, ka disa vite që Komuna e Gazi Babës dhe drejtori maqedonas i shkollës “Njegosh” nuk lejojnë mësimin në shqip nga klasa e pestë për nxënësit shqiptarë në Idrizovë dhe rrethinë. Nxënësit shqiptarë, pas klasës së katërt, mësimin e kanë ndjekur në shkollat e Çairit, ndërsa ata prindër që nuk kanë mundur ti sjellin 4 kilometra deri në Çair, janë detyruar që fëmijët i tyre ti regjistrojnë në paralelet në maqedonisht.
Së fundmi, Ministria e Arsimit lejoi hapjen e paraleles, ndërsa siguroi prindërit shqiptarë se fëmijët e tyre do mësojnë në gjuhën amtare. (koha.mk)