Banorët e Hong Kongut përkujtojnë ndryshe Masakrën e Tiananmenit

14

Aktivistët pro-demokracisë dhe ata për të drejta të njeriut kanë planifikuar ngjarje të ndryshme rreth Hong Kongut të enjten, për të shënuar Masakrën e Sheshit Tiananmen, duke zëvendësuar ngjarjet e anuluara për herë të parë në 31 vjet.

Studentët kinezë dhe punëtorët ishin mbledhur në pranverën e 1989 në Sheshin Tiananmen, në qendër të Pekinit, për të kërkuar ndryshime demokratike dhe dhënie fund të korrupsionit, çka ka nxitur protesta të mëdha në gjithë vendin.

Pas shtatë javëve të protestave, regjimi komunist kishte dërguar tanke dhe ushtarë, të cilët kanë ndjekur dhe vrarë protestuesit në rrugët që kanë çuar në Sheshin Tiananmen, më 3-4 qershor.

Për këtë shtypje, që besohet se ka lënë të vdekur qindra apo edhe mijëra protestues, nuk flitet hapur në Kinë dhe ngjarja nuk shënohet nga qeveria.

Mirëpo masakra është shënuar rregullisht në Hong Kong, deri këtë vit, kur organizatorët kanë pranuar një urdhër policor për të anuluar organizimin për shkak të pamundësisë të mbajtjes së distancës fizike gjatë kohës së pandemisë me koronavirus.

Anëtarët e Aleancës pro-demokratike të Hong Kongut, u kanë bërë thirrje dhjetëra mijëra personave që zakonisht marrin pjesë në ceremoninë vjetore të ndezjes së qirinjve, këtë vit t’i bashkëngjiten programit online.

Tensionet politike janë në rritje e sipër në Hong Kong. Kina ka votuar një ligj për siguri kombëtare për këtë qytet javën e kaluar, duke tejkaluar legjislaturën e Hong Kongut.

Grupet pro-pavarësisë e kanë parë këtë vendim si vazhdim të shtypjes së të drejtave speciale, që ishte supozuar se do t’i gëzonte ky vend deri më 2047.

Hong Kongu, qysh në vitin 1997, është pjesë e Kinës në bazë të organizimit “një shtet, dy sisteme”.

Comments are closed.